“Hajde”, promovuan platformën për politikë qytetare
Anëtarët e platformës qytetare “Hajde”, të ulur para kuvendit, ku në duart e tyre mbanin pankarta të shkruara “Hajde t’i themi mjaftë më padrejtësive, hajde të përmirësojmë kushtet në të cilat jetojmë”, simbolikisht u dhanë mesazh pushtetit se qytetarët janë burim i sovranitetit dhe se demokracia nuk është e mundur pa qytetarë aktiv, të lirë dhe të bashkuar....

“Sot, në mënyrë ceremoniale u bë shpallja e platformës qytetare “Hajde”, e cila është një grupim i më shumë aktivistëve qytetarë prej sektorit civil, i cili mëton që të angazhohet për kthimin e vlerave fondamentale demokratike në shoqërinë e Maqedonisë. Qëllimi ishte që të ketë një formë më të koordinuar dhe të bashkuar, për të vepruar në çështje të cilat i ka si bazë dhe vlerat që i përfaqëson kjo platformë”- deklaroi aktivisti, Artan Sadiku.
Me moton “Politika te qytetarët”, anëtarët e kësaj platforme kërkojnë nga politikanët që ata t'iu lënë më shumë hapësirë në programet politike që realizohen në vend.
“Motivet për këtë nismë të sotme janë të njohura edhe nga të gjithë qytetarët, për shkak të qeverisjes shumëvjeçare jodemokratike është shumë e qartë që në Maqedoni çdo ditë e më shumë po shkelen të drejtat e qytetarëve në nivele institucionale, kjo duhet të ndërpritet dhe për atë vendosëm ta kthejmë politikën në duart e qytetarëve”- deklaroi kryetari i Organizatës Joqeveritare “Civil”, Xhabir Devalla.
Anëtarët e kësaj platforme u bënë thirrje të gjithë qytetarëve që t’i bashkohen kësaj nisme në organizimin e ngjarjeve të ndryshme dhe në mobilizimin për ruajtjen e vlerave dhe principeve qytetare. (Ersan Pajaziti, TVM2)
