Botë
Moti i keq godet Greqinë, stuhia “Diomidis” shkakton probleme
12.01.2022 18:02
Një valë e motit të keq me emrin “Diomidis” ka goditur Greqinë, duke shkaktuar probleme të mëdha...

Në Farsala pranë Larisës ujërat e detit kanë përmbytur gjithë zonën bregdetare. Në pjesën qendrore të vendit, lumenjtë kanë dalë nga shtrati, duke shkaktuar përmbytje të shtëpive dhe të të mbjellave dhe ndërprerje të energjisë elektrike në shumë zona.
Gjatë natës në zonën e Koskinës në Kardhicë, ujërat kanë çarë digën e lumit Kalentzis dhe shumë fshatra aty pranë janë në rrezik të përmbyten, ndërsa në shumë të tjera dëmet janë të pallogaritshme. Në shumë ishuj të Egjeut është ndërprerë lundrimi i anijeve për shkak të dallgëve me fuqi deri në 10 ballë.
Stuhi bore janë raportuar në Greqinë qendrore si dhe në zonat Amintios, Prespës e Follorinës, zona të cilat përveç motit, kanë pasur probleme me lëkundje të tjera sizmike që ende vazhdojnë pas tërmetit të fuqishëm 5.3 shkalla Rihter, që u shënua mesnatën e së dielës, ndaj dhe autoritetet kanë shpallur aty gjendje të jashtëzakonshme.
Rrugët nacionale mbeten të hapura, por shkollat do të jenë të mbyllura deri në fundjavë.
