Davutogllo, mbështetje integrimeve të Maqedonisë

23.12.2014 17:26

Maqedonia dhe Turqia tradicionalisht kanë marrëdhënie të shkëlqyera politike....

Ky ka qenë konstatimi i përbashkët i kryeministrit, Nikolla Gruevski dhe atij turk, Ahmet Dautogllu. Ky i fundit ka shprehur gatishmërinë për përkrahjen e Maqedonisë në rrugën e saj drejtë evrointegrimeve.

“Turqia e mbështet fuqishëm Maqedoninë, që të bëhet anëtare në NATO. Kjo mbështetje do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Mendoj se të gjitha shtetet e Ballkanit duhet të jenë nën ombrellën e NATO-s, pasi ajo është me rëndësi për sigurinë  e  vendeve. Në një takim në Samitin e NATO-s në Çikago, unë fjalimin tim e  fillova kështu: Unë jam nga Maqedonia”- deklaroi kryeministri i Turqisë, Ahmed Dautogllu.

Dy kryeministrat janë dakorduar që këto marrëdhënie duhet të reflektohen edhe në bashkëpunimin ekonomik. Sipas tyre, dy vendet kanë hapësirë që të përforcojnë akoma më shumë lidhjet ekonomike, që do të rezultonte me rritjen e investimeve të kompanive turke në Maqedoni.

“Rritja e këmbimi tregtar mes dy shteteve është qëllimi ynë. Tendenca është që ky numër të rritet në një miliard dollarë amerikane. Mirëpo ajo varet nga biznesmenët. Ne si shtet duhet të ofrojmë klimë të mirë për biznes. Mendoj se ajo shifër nuk është e parealizueshme. Të gjithë biznesmenët e kanë përkrahjen tonë”- tha kryeministri  i Maqedonisë, Nikolla Gruevki.

Gjatë qëndrimit të tij në Shkup, Dautogllu ka takuar edhe presidentin, Gjorge Ivanov, ndërsa nikoqir i takimeve të delegacionit turk, të udhëhequr nga kryeministri Davutoglu, ka qenë edhe kryetari i Çairit, Izet Mexhiti.

Davutogllu, ka vizituar edhe Çarshinë e Vjetër, ndërsa ka takuar edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile turke në Maqedoni. (Naim Ramadani, TVM2)