Rekord infektimesh në Europë e SHBA
Askush mund të mos i shpëtojë variantit Omicron.....

Askush mund të mos i shpëtojë variantit Omicron që po kthehet në variantin dominues të SarrsCov 2 në të gjithë botën. 1 në 5 amerikanë ose 65 për qind e popullsisë mbetet e pavaksinuar, ndërsa shtrimet në spital i tejkaluan 132 mijë, shifra më e lartë që prej shpërthimit të pandemisë.
Edhe Europa vijon të shënojë rekorde të zymta të infektimeve me Omicron. Franca, ka disa ditë që regjistron më shumë se 300.000 infeksione të reja në baza ditore. Dje, ky vend regjistroi 361.719 raste të reja dhe 249 vdekje.
Në Gjermani, dje për herë të parë që nga fillimi i pandemisë, janë regjistruar mbi 80 mijë të infektuar të rinj. Për shkak të numrit të lartë të të infektuarve, Zvicra njoftoi se do të përgjysmojë periudhën e karantinës në pesë ditë për të ndihmuar ekonominë të përballet me valën pandemike të Omicronit.
Edhe Ballkani është përfshirë nga kjo valë e re. në Shqipëri aktualisht janë duke qarkulluar 3 variante virusesh, Omicron, Delta dhe gripi sezonal.
Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini, u shpreh në mbledhjen e kësaj të enjteje të Komitetit Teknik të Ekspertëve se vendi gjendet në pikun më të lartë të pandemisë që ka nisur prej gati dy vitesh.
Numri i të infektuarve është rritur dyfish në 24 orët e fundit. Nga 8.136 testet e bëra, virusi i rrezikshëm është konfirmuar tek 2.177 qytetarë që është 26,7 për qind prej personave të testuar. Masat gjithsesi nuk janë ndryshuar.
Rritet numri i personave të infektuar edhe në Kosovë, ku numri i rasteve aktive me këtë virus ka shkuar në 2 mijë e 417.
Në Serbi, dje janë regjistruar 12.877 raste dhe kanë vdekur 26 persona. Në Slloveni, çdo i dyti i testuar rezultoi pozitiv. Dje në këtë vend u regjistruan 7.420 persona të infektuar me kovid-19, një rekord i ri ditor.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), më shumë se gjysma e njerëzve në Evropë mund të infektohen me një llojin e ri të koronavirusit – omicron. Ekspertët paralajmërojnë se ka ende pasiguri të madhe se si do të zhvillohet faza e ardhshme e pandemisë.
