Kontesti maqedono-bullgar, Jashari: Për zgjidhje të shpejtë, veprime politike

13.01.2022 14:39

Kontesti maqedono-bullgar edhe pse cilësohet si historik....

Kontesti maqedono-bullgar edhe pse cilësohet si historik, i njëjti është politik dhe për të njëjtin duhet vendime politike për një zgjidhje të shpejtë, vlerëson profesori universitar Hasan Jashari.

Sipas tij pesë grupet e punës të formuara pas shakrikimit të dërguarit special Vllado Buçkovski dhe kyçja e ministrive të jashtme midis dy vendeve mund vetëm të hapin rrugë dhe lehtësojnë procesin.

“Politikanët duhet të jenë dhe janë ata të cilët duhet të marrin vendime. Mendoj se ky problem që është në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë është para se gjithash një problem politik, edhe pse në esencë duket se është historik, mirëpo është një problem politik dhe të cilin duhet ta zgjidhin politikanët dhe mendoj se ata duhet të prijnë gjatë bisedimeve, të hapin rrugica, të gjejnë forma se si të zgjidhen problemet dhe si të ndërtohet ajo që e quajmë mirëbesim në mes dy shteteve.” – tha profesori universitar, Hasan Jashari.

Iseni: Dialogu i rëndësishëm për zgjidhje

Analiza e opinionistit Xhenur Iseni flet për përafrim të dy popujve dhe shteteve  me bashkëpunimin e paralajmëruar në fusha të caktuara. Iseni konsideron se është e vështirë të thuhet që brenda gjashtë muajve vendi do të çlirohej nga ngërçi bilateral, por që sipas tij dialogu i krerëve shtetëror është i rëndësishëm.

“Fushat që po përmenden ndoshta mund të çojnë në përafrimin e dy shteteve dhe dy popujve, nëse kjo bëhet në frymë konstruktive pasi vendosja e komunikimit akademik, kulturor, infrastrukturë, ekonomi e kështu me rradhë mund të thellojë bashkëpunimin midis dy vendeve, pasi më parë palët më shumë ishin të fokusuara në aspektet historike. Kur kemi të bëjmë me problemet bilaterale në diplomaci, dialogu çdo herë është mjet i dëshirueshëm andaj këtu edhe dëshiroj të përmend vizitën e kryeministrit Petkov, është e mirseardhur sepse mund të sjellë edhe përafrim të qëndrimeve.” - deklaroi analisti, Xhenur Iseni.

Sipas Isenit zgjidhja e kontestit midis Shkupit dhe Sofjes varet edhe nga zgjedhjet presidenciale në Francë, vend ky që kryeson me BE-në në gjashtë muajt e parë të vitit.

Nuk pritet që Brukseli të shpejtojë në zgjidhjen e mosmarrëveshjes Shkup-Sofje brenda kësaj periudhe,  por që nuk zbehen shpresat që konferenca ndërqeveritare e Maqedonisë së Veriut me BE-në të mbahet në fund të muajit maj. (Meral Ismaili, TVM2)