Tetovë, disa pjesë të qytetit prej disa ditësh janë pa ujë

13.01.2022 15:24

Vazhdon edhe më tej mungesa e ujit....

Vazhdon edhe më tej mungesa e ujit në disa pjesë të qytetit të Tetovës. Edhe pse në kushte të vështira, punonjësit e NKP po punojnë për sanimin e dëmit por kushtet klimatike u pamundësoi që problemin ta zgjidhin.

Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, thotë se çështja e ujit është një problem serioz, prandaj ai ka urdhëruar një grup ekspertësh për revizion.

Kasami tha se pas informatave që do të marrë nga revizioni, do vendos nëse ia vlen të investohet në këtë ujësjellës, apo të gjejë një zgjedhje tjetër.

“Gjitha informatat që i kisha derisa nuk erdha në këtë vend, ishin se Tetova ka humbje uji në rrjetin e brendshëm, as që e mendoja se në projekt ku janë harxhuar miliona, nuk mund të jetë funksional. Tash bindem me problemet aktuale se ky ujësjellës nuk mund të jetë në funksion. Andaj që mbrëmë dhashë urdhër të formohet komision që do bëjë revizion të gjithë projektit. Për informatë të opinionit, ky projekt edhe nuk është i pranuar, pra nuk ka pranim teknik. Tashmë i është dhënë urdhër revizorit të bëjë hetim të projektit dhe pastaj të dalim me informatë se sa do t’i kushtojë komunës, vënia e tij në funksion dhe a ka leverdi ta vemi në funksion apo të gjejmë zgjidhje tjetër.”,- tha kryetari i Tetovës, Bilall Kasami.

Nga ana tjetër, qytetarët që po përballen me mungesën e ujit kërkojnë zgjidhje sa më të shpejtë.

Problemin më të madh me ujin për pije për momentin në Tetovë e kanë lagjet periferike të qytetit dhe ndërtesat shumëkatëshe. (Visar Sadiki, TVM2)