Gjykata Themelore e Kërçovës përballet me vështirësitë e mungesës së kuadrove

13.01.2022 15:42

Që nga 1 janari i vitit 2020, Gjykatës së Kërçovës....

Që nga 1 janari i vitit 2020, Gjykatës së Kërçovës iu kthyen kompetencat e zgjeruara për trajtimin e lëndëve nga territori që përfshin edhe Makedonski Brodin dhe Dibrën. Por, ky zgjerim që e rriti dukshëm volumin e punës, nuk e rriti edhe numrin e punëtorëve të Gjykatës, të paraparë me sistematizimin e ri.

Nga 122 vendet e parapara sipas sistematizimit të ri të vendeve të punës, janë realizuar vetëm 49, një numër ky shumë i vogël i punëtorëve për të mbuluar një territor kaq të gjerë, thotë kryetarja e Gjykatës së Kërçovës, Hamdije Zenku.

Para dy vitesh, Gjykata e Kërçovës me kompetenca të reduktuara kishte 17 gjykatës, ndërsa aktualisht funksionon me vetëm 7 gjykatës, të cilët nuk mund të përballojnë fluksin e madh të lëndëve nga një territor i zgjeruar.

Duke pasur parasysh këto ngarkesa që vijnë si pasojë e numrit të vogël të gjykatësve dhe zgjerimit të kompetencave si dhe territorit të fushëveprimit, Gjykata e Kërçovës ka nevojë për rritjen e numrit të gjykatësve, nënvizon kryetarja e Gjykatës së Kërçovës, Hamdije Zenku.  (Shaban Dalipi, TVM2)