Qeveria e re, LSDM 12 kuadro, BDI 6 e Alternativa 3
Mandatari i ri, Dimitar Kovaçevski....

Mandatari i ri, Dimitar Kovaçevski, qeverinë e re do ta udhëheqë me 21 anëtarë, LSDM dhe koalicioni do të kenë 12, BDI gjashtë, ndërsa Alternativa tre ministra. Kabineti i ri qeveritar është paraparë të ketë një anëtarë më shumë - ministrin pa dikaster që do t’i takojë Alternativës.
Nga Qeveria largohen tetë anëtarë të deritanishëm, duke përfshirë edhe vet kryeministrin në largim, Zoran Zaev.
Nikolla Dimitrovi më nuk do të jetë zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane, në këtë pozitë do ta zëvendësojë ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq.
Në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, në vend të Radmilla Shekerinskës do të vijë Sllavjanka Petrovska, pozitën e Venko Filipçes në shëndetësi do ta zë Bekim Sali nga Alternativa.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës - Milla Carovska, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale - Jagoda Shahpaska, si dhe ministrja e Kulturës - Irena Stefoska do të largohen nga Qeveria.
Ministri i deritanishëm i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Jeton Shaqiri, nga BDI, do ta marrë Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, ndërsa Admirim Aliti nga Alternativa do të marrë Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës. Jovana Trençevska nga LSDM do të udhëheqë me MPPS-në, ndërsa Bisera Kostadinovska Stojçevska po ashtu nga LSDM do marrë dikasterin e Kulturës. Xhemail Çupi nga Alternativa është propozuar për ministër pa dikaster përgjegjës për diasporën. Në qeverinë e re të Kovaçevskit mbetet zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi nga LSDM, ndërsa emër i ri është Sllavica Grkovska e cila duhet të jetë zëvendëskryeministre për luftë kundër korrupsionit dhe krimit.
Me dikasterin e drejtësisë është propozuar të udhëheqë profesori universitar, Nikolla Tupançevski.
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme mbetet ministri i deritanishëm Oliver Spasovski, ndërsa funksionet i mbajnë edhe ministrat e Punëve të Jashtme, të Transportit dhe Lidhjeve, të Financave dhe të Ekonomisë, Bujar Osmani, Bllagoj Boçvarski, Fatmir Besimi dhe Kreshnik Bekteshi.
Në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale mbetet edhe më tutje Goran Milevski, ndërsa nuk ka ndryshime edhe në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ku mbetet ministri i deritanishëm, Naser Nuredini.
Me Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive edhe më tutje do të udhëheqë Artan Grubi.
Në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave kthehet Ljupço Nikollovski. Seanca kuvendore për zgjedhjen e qeverisë së re është caktuar për të shtunën, në orën 11. Debati kuvendor për zgjedhjen e qeverisë së re zgjat më së shumti dy ditë, ndërsa votohet pas përfundimit të debatit më së voni në orën 24 në ditën e dytë, në këtë rast deri të dielën në mesnatë.
Qeveria llogaritet e zgjedhur nëse për të votojnë shumica e numrit të përgjithshëm të deputetëve në Kuvend. Shumica parlamentare - LSDM-BDI-ALTERNATIVA numëron 64 deputetë. (Sanije Duraku, TVM2)
