Takimi i mundshëm Kovaçevski – Mickovski

13.01.2022 16:54

VMRO-DPMNE i përgjigjet ftesës së mandatarit, Dimitar Kovaçevski....

VMRO-DPMNE i përgjigjet ftesës së mandatarit, Dimitar Kovaçevski, për takim me kreun e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, pas votimit të Qeverisë së Re.

Milloshovski: Takim po, por me kushte

Antonio Milloshovski thotë se një ftesë e tillë nuk është zyrtare, por nëse ndodh, ajo do të pranohet me kusht. VMRO-DPMNE kërkon që në takim të diskutohet për zgjedhje të parakohshme parlamentare, për kontestin me Bullgarinë dhe për luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

“Një ftesë e tillë ende s’ka ardhur  në VMRO-DPMNE, por nëse vjen, do të pranohet me kusht që në takimin Kovaçevski – Mickovski të bisedohet për zgjedhje të parakohshme parlamentare si zgjidhje e vetme logjike për dalje nga kriza e thellë në të cilën ndodhet shteti; për përmbajtjen e përgjigjeve që Maqedonia ia ka dhënë Sofjes zyrtare, me kërkesë të tyre sipas formulës 5+1, si dhe për angazhime të shtuara për luftën kundër krimit dhe korrupsionit.”,- tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski.

LSDM: Të flasim për krizën, jo për zgjedhje

Hristijan Mickovski nuk e ka kuptuar ose s’ka dashur të kuptojë thelbin e ftesës për takim, u kundërpërgjigj partia e Kovaçevskit.

“Në mes të krizës ekonomike, kur liderët e botës flasin për përkrahje të qytetarëve, ai vendos kushte për takim vetëm nëse ka zgjedhje të parakohshme. Zgjedhje s’do të ketë. Duhet të përkushtohemi në tejkalimin e sfidave ekonomike dhe përkrahjen financiare të qytetarëve. Për këtë duhet të bisedojmë dhe së bashku të votojmë në Kuvend për këto tema me prioritet.”,– thuhet në kumtesën e LSDM-së.     

Sipas LSDM-së, Qeveria e re ka kapacitet dhe legjitimitet që të çojë mandatin deri në fund, ndërsa zgjedhjet e reja nënkuptojnë shpenzime të reja dhe ngecje të ekonomisë.

Një ditë më parë, Kovaçevski deklaroi publikisht se ndër gjërat e para, pasi të votohet qeveria e re do të jetë takimi me kreun e opozitës. (Shpëtim Nuredini, TVM2)