Baumgartner: Nuk e dimë kur mund t'i filloni bisedimet

13.01.2022 17:33

Franca si kryesuese me BE-në po përgatit samit special në qershor....

Franca si kryesuese me BE-në po përgatit samit special në qershor ku do të sqarohet perspektiva evropiane e vendeve rajonale, po pa afat konkret për fillimin e bisedimeve, theksoi ambasadori francez Baumgartner, duke i paraqitur prioritetet franceze me udhëheqjen e BE-së, para Këshillit nacional për eurointegrime në kuvend.   

“Sa i përket çështjes së zgjerimit dhe hapjes së bisedimeve për Maqedoninë e Veriut, për këtë temë nuk ka ndonjë afat të caktuar, sepse ai afat varet nga konferenca ndërqeveritare, e cila nënkupton fillimin e bisedimeve, e që për momentin është vështirë të vërtetohet data  e saktë.”,- tha ambasadori i Francës, Cyrille Baumgatner.

Geer: Punoni me Bullgarinë dhe realizoni reformat

Euroambasadori, David Gir, thekson se  për të qenë më afër fillimit të bisedimeve, mes  tjerash  Maqedonia e Veriut  duhet të përparojë në raport me Bullgarinë për dallimet dypalëshe. Edhe me reforma duhet vazhduar, thotë Gir.                                                                                             

“Është me rëndësi që paralelisht  të shohim përparim  në çështjen bilaterale me Bullgarinë  me qeverinë e re dhe  vazhdimin e reformave me një intensitet më  të madh; respektimin e sundimit të së drejtës, ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.”,- theksoi euroamabsadori, David Geer.

Dimitrov: Fati i RMV-së, flet për BE-në dhe rajonin

Cilido që të jetë fati i RMV-në, nëse do t'i fillojë bisedimet apo jo, vendimi do të pasqyrojë besueshmërinë e BE-së si dhe do të ketë impakt rajonal, tha zëvendëskryeministri për eurointegrime, Dimitrov.                          

Nëse kemi sukses, suksesi do të jetë  edhe i BE-së, do të jetë i mirë edhe për rajonin, për Maqedoninë e Veriut si dhe për Bullgarinë.”,- u shpreh zëvendëskryeministri, Nikolla Dimitrov.

Ademi: Presim nisjen e negociatave këtë gjashtëmujor

Kryetar i Komisionit për Çështje Evropiane, Arbër Ademi, thekson nevojën e përfshirjes më të  madhe të shteteve mike në përshpejtimin e fillimit të negociatave. Me Bullgarinë thotë se ka moment të reja dhe duhet të ketë ndonjë sinjal pozitiv.                                                                

“Qëllimi ynë është që RMV të merr sinjal pozitiv për miratimin e kornizës negociuese, për fillim të negociatave gjatë këtij kryesimi tejet të rëndësishëm për të gjithë ne.”,- tha kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Arbër Ademi.

Sonja Mirakovska nga LSDM potencon se Franca duhet të aktivizohet më shumë në kontestin me Bullgarinë, i cili, sipas saj, është irracional dhe i imponuar arbitrarisht. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)