“Covid-19”, 8 të vdekur e 1865 të infektuar

13.01.2022 17:59

Virusi Korona në 24 orët e fundit u ka marrë jetën edhe 8 qytetarëve të vendit....

Virusi Korona në 24 orët e fundit u ka marrë jetën edhe 8 qytetarëve të vendit, përfshirë edhe një 45 vjeçar nga Prilepi. Ndërsa nga 6.173 të testuar janë regjistruar 1.865 raste pozitive, 871 prej të cilëve në Shkup, 177 në Manastir, 119 në Prilep dhe komunat tjera më pak se 100 të infektuar.

Siç bën të ditur Ministria e Shëndetësisë nga 1.865 të infektuar 207 janë riinfektime. Po ashtu janë regjistruar edhe 784 të shëruar. Aktualisht në vend ka 14.545 raste aktive, prej të cilëve 8192 raste aktive janë në Shkup.

Autoritetet vazhdojnë të apelojnë te qytetarët për vaksinim, si masë më e mirë për mbrojtje nga virusi.

Në programin e  mandatarit për formimin e qeverisë së re, Dimitar Kovaçevski,   parashihen masa stimuluese për rritjen e interesimit për vaksinimin kundër Covid-19 tek të rinjtë, si grup i caktuar që ka rezistencën më të madhe ndaj imunizimit.

“Procesi i vaksinimit është vendimtar për parandalimin e simptomave të rënda tek pacientët dhe në këtë mënyrë për të parandaluar mbingarkimin e sistemit shëndetësor, gjegjësisht që të mos vijmë në situatën që një qytetar të mos të trajtohet në kohë dhe siç duhet.”,- thuhet në program.

Një stimul i tillë i të rinjve që të vaksinohen po praktikohet në vendet perëndimore, ku me certifikatën e vaksinës të rinjtë përfitojnë ulje, gjegjësisht ushqim dhe pije falas si dhe shpërblime të tjera. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)