“Covid-19”, rritet prania e Omikronit në vendet e rajonit

13.01.2022 19:00

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë....

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka bërë të ditur se varianti Omicron ka shtuar intensitetin dhe është bërë varianti dominues në qarkullim. Nga ky institute paralajmërojnë se situata epidemiologjike mund të përkeqësohet edhe më shumë ditët në vazhdim.

Edhe në Shqipëri ka rritje të numrit të të infektuarve, por autoritetet nuk parashohin ndryshim të masave e as mbyllje të shkollave.

“Nuk këshillohet ndërprerje  e mësimit. Edhe nga OBSh nuk  është rekomanduar mbyllje e shkollave, por do të shikohet hapa pas hapi e gjithë dinamika, nëse do të duhet që në vijim të ndryshojë strategjia.”,- deklaroi zëvendësministrja e shëndetësisë, Mira Rakacolli.

Situatë e rënduar edhe në vendet e tjera. Greqia zgjat edhe një javë masat anti-COVID. Bullgaria ka shënuar një rekord prej 7,852 rastesh të reja dhe ka tejkaluar pikun e tetorit të vitit të kaluar.

Pason Gjermania me numrin më të lartë të rasteve ditore, ku për  të dytën ditë radhazi që nga shpërthimi i pandemisë, ka regjistruar mbi 81 mijë raste të reja dhe 316 viktima vetëm gjatë një ditë. Kancelari gjerman Olaf mbështet vaksinimin e detyrueshëm.                                                                                                                       

“Përballë përhapjes së variantit të virusit Omicron, numri i infektimeve pritet të vazhdojë të rritet. Vaksinimi mbetet edhe më tej rruga për të dalë nga pandemia. Qëllimi është të bëhen një milion vaksina në ditë.”,- u shpreh kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Edhe Britania e Madhe për javë me radhë kryeson në listën e vendeve për numrin e lartë të infektimeve. Pavarësisht thirrjeve për të respektuar masat, vetë kryeministri Boris Johnson nuk i ndjek masat e vendosura, e konservatorët kërkuan dorëheqjen e tij.  Johnson, kërkoi falje për këtë shkelje.

“Dua të kërkoj falje. Unë e di se miliona njerëz në të gjithë këtë vend kanë bërë sakrifica të jashtëzakonshme gjatë 18 muajve të fundit. Dhe unë e di zemërimin që ata ndiejnë ndaj meje dhe qeverisë që unë drejtoj kur mendojnë se në vetë Downing Street, rregullat nuk po ndiqen siç duhet nga njerëzit që bëjnë rregullat.”,- u shpreh kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson.

Japonia për herë të parë pas 4 muajsh regjistroi mbi 13 mijë raste ditore. Të gjithë ata që kanë pasur kontakt me të infektuarit duhet të izolohen.

Në Indi dy  javët e fundit numri i rasteve shkon mbi 246 mijë.

OBSh - Covid 19: 15 milionë raste gjatë një jave në të gjithë botën

OBSH tha se varianti Omicron i Covid-19,mund të jetë më i butë se Delta, por mbetet i rrezikshëm, veçanërisht për të pavaksinuarit.

“Shumica e të shtruarve në spital në mbarë botën janë të pavaksinuar. Vaksinat ndihmojnë në parandalimin e pasojave dhe vdekjeve më të rënda, por jo transmetimin e plotë.”,- deklaroi kryetari i OBSh- Tedros Adhanom Ghrbreyesus-së.

Në 90 vende, objektivi prej 40 për qind e të vaksinuarve nuk është arritur dhe në 36 prej këtyre vendeve, më pak se 10 për qind e popullsisë është vaksinuar. (Farije Duati Bakiju, TVM2)