Të premten vendoset për mandatet e opozitës

23.12.2014 18:06

Deputetët e shumicës parlamentare, ditën e premte do të vendosin për mandatet e 31 kolegëve të tyre në opozitë, të cilët bojkotojnë punën e parlamentit për shtatë muaj radhazi.....

Kryeparlamentari, Trjako Veljanovski, ka caktuar për më 26 dhjetor seancën e 28-të, me të vetmen pikë të rendit të ditës, heqjen e mandateve. Çështja vihet në seancë plenare me propozim të Komisionit për Çështje Mandatesh dhe Imuniteti, i cili më dy dhjetor i propozoi kuvendit heqjen e mandateve të 31 deputetëve, të cilët mungojnë në punën e parlamentit, prej 7 muajsh.

Nuk ka asnjë prononcim nëse partnerët e koalicionit të shumicës parlamentare kanë rënë dakord që t’u heqin mandatet deputetëve nga opozita, ose seanca do të shfrytëzohet veç për të denoncuar veprimin politik të opozitës dhe votimi të shtyhet pafund, siç po ndodh me ndryshimet kushtetuese, të cilat pritej të miratohen që në tetor. Për heqjen e mandateve duhet shumicë e cilësuar, ose 82 vota pro, që nënkupton se kundërshtimi apo mungesa e një deputeti të vetëm të shumicës parlamentare mund të çojë në dëm nismën e kuvendit.

Nëse i referohemi qëndrimit paraprak të BDI-së, në seancën e dy dhjetorit të Komisionit për Çështje Mandatesh dhe Imuniteti opozita dënimin për bojkotin e kuvendit duhet ta marrë nga elektorati në zgjedhjet e radhës, kurdo qofshin ato.

“Do të duhet ta gjykojmë ne si komision, kuvendi apo qytetarët, të cilët duhet ta dënojnë këtë mosbesim të shprehur nga deputetët e zgjedhur nga vetë ata”- deklaroi Artan Grubi nga BDI.

Ndryshe, LSDM-ja disa herë ka bërë thirrje që kuvendi të votojë dorëheqjet që deputetët e saj kanë depozituar që në maj të këtij viti, por është dakord edhe me procedurën e heqjes së mandateve.  LSDM-ja bojkoton kuvendin me pretekstin se zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale janë manipuluar nga VMRO-DPMNE. (Shpëtim Nuredini, TVM2)