Botë

Merdare, ndalohet matriali për referendumin e Serbisë

15.01.2022 16:13

Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka ndaluar futjen e materialit zgjedhor për referendumin serb në Kosovë...

Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka ndaluar futjen e materialit zgjedhor për referendumin serb në Kosovë.
 
Sipas njoftimit, më 14 janar, në kufirin Kosovë-Serbi në Merdare kanë ardhur tri automjete me targa të Serbisë, në të cilat kanë qenë gjashtë persona. Këto automjete sipas policisë, kanë bartur material që dyshohej se do të përdoret për referendumin që pritet të mbahet në Serbi më 16 janar.
 
"Në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, dy mjetet transportuese janë dërguar tek autoritetet kompetente doganore, ndërsa pas intervistimit personat me automjetin e tyre janë kthyer mbrapa në Serbi", thuhet në njoftimin e policisë.
 
Institucionet e Kosovës kanë theksuar se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në Kosovë, përbën shkelje të kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, prandaj kjo nuk do të lejohet.
 
Qytetarët serbë të Kosovës, me dyshtetësi, do të mund të votojnë për referendumin në Serbi sipas praktikave ndërkombëtare, që në këtë rast, sipas tyre, nënkuptojnë mundësitë përmes postës apo Zyrës Ndërlidhëse në Prishtinë.