Shqipëria ndan mjete për shkollat e Gostivarit

23.12.2014 18:35

Një delegacioni nga Shqipëria, i udhëhequr nga deputetë dhe përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, në kuadër të vizitës së tyre në Maqedoni kanë realizuar sot takim me kryetarin e Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejtën….

Me këtë rast është dakorduar për një fond nga shteti shqiptar për shkollat e Gostivarit. Temë e diskutimit në takim madje ishin edhe pikat tjera nga sfera e arsimit, shkencës, kulturës e sportit.

Kryetari i Gostivarit, Nevzat Bejta, me këtë rast ka shprehur falënderim për vizitën e bërë nga deputetët, por edhe më lutje deri tek shteti shqiptar shprehi dëshirën e tij për bashkëpunim të mirëfilltë midis institucioneve të të dyja shteteve, ndërsa ka shtuar se për vizitë e pret edhe vetë kryeministrin e shtetit shqiptar, Edi Ramën, në Gostivar.

Nga ana tjetër, deputeti, Alfred Peza, udhëheqës i delegacionit shqiptar, njëherësh anëtar i Komisionit për Arsim dhe Kulturë tha se ardhja e tyre është në shenjë të mbështetjes për projekte të reja.

Peza, shtoi se kërkesat e kreut të Gostivarit janë në konsideratë dhe të njëjtat do t’i transmetohen udhëheqësisë së shtetit shqiptar.

Delegacioni i deputetëve nga Kuvendi i Shqipërisë, të cilët janë anëtarë të komisioneve të kulturës, arsimit, shkencës dhe informimit përbëhej nga Alfred Peza, Fatmir Toçi, Mimoza Hafizi, Erjeta Alhysa, Adelina Rista, si dhe zëvendësministri i Arsimit, Arber Mazniku, ndërsa pos Gostivarit kanë vizituar edhe qytetet e tjera në Maqedoni, Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve-Shkup dhe Ministrinë e Arsimit. (Lulzim Haziri, TVM2)