FSSH: Lehtësohen procedurat për sigurim shëndetësor
Me ndryshimet në Ligjin për Kontribute për Sigurimin e Detyrueshëm Shëndetësor, i cili do të hyjë në fuqi nga viti 2015, të gjithë shfrytëzuesit e sigurimit shëndetësor si të papunë lirohen nga obligimi për nënshkrimin e deklaratave për të ardhurat neto….

Të dhënat për të hyrat e tyre do të sigurohen nga ana e fondit në formë elektronike nga Drejtoria e të Hyrave Publike.
“Tani më të gjithë këta të siguruar, të cilët janë mbi 240 mijë të siguruar një herë në vit, që është dashur të paraqiten deri te Fondi për Sigurim Shëndetësor, tanimë nuk do të duhen të paraqiten, pasi të dhënat për të hyrat e tyre do t’i marrim nga Drejtoria e të Hyrave Publike dhe institucionet tjera përkatëse dhe kategorizimi i tyre do të bëhet në mënyrë automatike nga ana e punonjësve të fondit. Deri sa përpara me nënshkrimin e deklaratës shpeshherë të siguruarit tanë kanë nënshkruar deklarata edhe të rrejshme dhe pas konstatimit se të dhënat janë të rrejshme, ne si institucion jemi detyruar t’i paraqesim deri te institucionet përkatëse”- deklaroi drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Xhemali Mehazi.
Me ndryshimet në Ligjin për Kontribute për Sigurimin e detyrueshëm Shëndetësor, pamundësohet gabimi me vetëdije apo pavetëdije i të siguruarve dhe pamundësohet dëmtimi i FSSH-së.
“Të gjithë ata që kanë të hyra më tepër se 96.600 denarë dhe më pak se 185412 denarë, ata do të duhet të paguajnë një vlerë prej 1128 denarë dhe kategoria e tretë janë të gjithë ata që brenda vitit paraprak kanë pasur të hyra më tepër se 185412 denarë, ata do të duhet të paguajnë një vlerë prej 2256 denarë”- tha drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Xhemali Mehazi.
Mehazi, vlerëson se këto ndryshime ligjore janë lehtësim si për Fondin Shëndetësor ashtu edhe për vetë të siguruarit, sepse nga viti 2015 nuk do të duhen të paraqiten deri te fondi, sidomos për riregjistrim, pasi që të gjitha të dhënat rreth të hyrave do t’i marrin nga Drejtoria për të Hyra Publike. (Sanije Kasami, TVM2)
