Botë

Omicron në Europë, sistemet shëndetësore, edhe një herë para sfidës

17.01.2022 12:27

Varianti Omicron i virusit Korona, po i vë para sfidës së re spitalet në mbarë Europën....

Varianti Omicron i virusit Korona, po i vë para sfidës së re spitalet në mbarë Europën. Sistemet e kujdesit shëndetësor rrezikojnë sërisht të mbingarkohen, e pacientët me sëmundje të tjera, po detyrohen sërisht të presin gjatë. 
 
Në Francë, Britani dhe Spanjë, autoritetet po ndërrmarin të gjitha masat për të parandaluar kolapdsin e sistemit. Dy vjet pas fillimit të pandemisë, me Omicronin jashtëzakonisht ngjitës që ndikon në shërbimet publike të llojeve të ndryshme, elasticiteti isistemeve të shëndetit publik që konsiderohen thelbësore për ofrimin e kujdesit të barabartë, është në pikpyetje. Pak sisteme shëndetësore kanë krijuar fleksibilitet të mjaftueshëm për të trajtuar një krizë si Covid  përpara se ajo të shfaqej. 
 
Pranimet në spital janë po aq të larta në Francë, Itali dhe Spanjë sa ishin pranverën e kaluar, kur të tre vendet kishin izolime ose masa të tjera kufizuese. Shkalla e shtrimit në spital të njerëzve me COVID-19 në Angli, ishte pak më e lartë se në fillim të shkurtit 2021, përpara se shumica e banorëve të vaksinoheshin. Kësaj radhe nuk ka izolim. 
 
Parashikimet flasin se më shumë se gjysma e njerëzve në rajonin 53-vendësh të OBSH-së në Evropë, do të infektohen me Omicron brenda dy muajve. Kjo përfshin edhe mjekë, infermierë dhe teknikë në spitalet publike. Rreth 15 për qind e stafit të sistemit spitalor të Strasburgut prej 13,000 personash ishte jashtë punës këtë javë. Në disa spitale, shkalla e mungesës së punonjësve është 20 për qind. Në Britani, Omicron po shkakton çarje në sistemin shëndetësor. Gati 13,000 pacientë në Angli u detyruan të prisnin në barela më shumë se 12 orë përpara se të hapej një shtrat spitalor. Britania ka një numër të madh prej rreth 5.9 milionë njerëz në pritje të ekzaminimeve të kancerit, operacioneve të planifikuara dhe të tjera. Disa ekspertë vlerësojnë se kjo shifër mund të dyfishohet në tre vitet e ardhshme.
 
Europa është e përgatitur të trajtojë shpërthime të izoluara siç ka bërë në të kaluarën, por pandemia ka ekspozuar themelet e dobësuara në të gjithë sistemet shëndetësore, madje edhe ato që konsiderohen ndër më të mirët në botë.
 
GYLTENE SINANI