Maqedoni
Kabineti i ri qeveritar, Kovaçevski merr detyrën nga Zaev
17.01.2022 14:46
Kryeministri i ri i vendit Dimitar Kovaçevski mori detyrën nga kryeministri i deritanishëm Zoran Zaev....

Kryeministri i ri i vendit Dimitar Kovaçevski mori detyrën nga kryeministri i deritanishëm Zoran Zaev. Kreu I ekzekutivit shpalosi prioritetet e qeverisë duke zgjatur dorën e bashkëpunimit me të gjith aktorët politik në vend. Kovaçevski nga ministrat e ri ka kërkuar angazhim të sinqertë dhe me përgjegjësi.
“Prioritet I parë kyç është përballja me krizën energjetike në shtet, prioritet I dytë është ruajtja dhe përmirësimi I standardit të jetesës dhe mbështetja e kompanive. Prioritet I tretë ka të bëjë në realizimin e projekteve të mëdha infrastrukturore të miratuara me buxhetin e vitit 2022. Eurointegrimi si synim I yni strategjik, gjithsesi se mbetet top prioritetet.”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Ish kryeministri Zoran Zaev ka uruar Kovaçevskin të punojë në ruajtjen e interesave shtetërore dhe të qytetarëve.
“Kryeministrit dhe ministrave u dëshiroj sukses dhe përmbushje të programit dhe prioriteteve, duke punuar për interesat e qytetarëve dhe shtetit”, ka shkruar në facebook ish kryeministri Zaev.
Kovaçevski, bashkë me ministrat njoftoi presidentin Stevo Pendarovski për prioritete e qeverisë duke paralajmëruar bashkëpunim të ndërsjellë me presidencën.
Ndërkohë ministrat e ri morrën detyrat në ministritë përkatëse. Në ministrinë e mbrojtjes me ceremoni, Sllavjanka Petrovska mori funksionin ministre e mbrojtjes.
“Duke respektuar plotësisht rezultatet e reformave dhe përparimin e arritur, para meje qëndron sfidë serioze: të ruaj atë që deri më tani është arritur dhe njëkohësisht të jem politikane që do të shpie përpara proceset. Ky është obligimi im ndaj qytetarëve, pjesëtarëve të armatës dhe parimeve në të cilat bazohet anëtarësimi ynë në NATO.”, tha Sllavjanka Petrovska, ministre e mbrojtjes.
“Sot sektori I mbrojtjes nuk njeh ‘status kuon’. Sot s’ka problem të pazgjidhur. Sot sistemi funksionon. Jemi anëtarë të NATO-s, të barabartë me të tjerët dhe ushtarakisht e integruar në kohë rekorde.”, tha Radmilla Sheqerinska, ish ministre e mbrojtjes.
Ministri I shëndetësisë Venko Fillipçe ia dorëzoi sektorin e shëndetësisë Bekim Saliut.
“I dëshiroj sukses në përmbushjen e funksionit duke I’u përgjigjur gjitha sfidave të pandemisë por edhe segmenteve të tjera të shëndetësisë”, ka shkruar ish ministri Filipçe.
Jeton Shaqiri mori nën udhëheqje dikasterin e arsimit nga ministrja e deritanishme Milla Carovska e cila I dëshiroi suksese dhe vazhdimin e reformave në arsim.
“Ministria e arsimit ka realizuar dhe ka nisur reforma tejet të rëndësishme për nxënësit, studentët dhe shtetin”, ka shkruar Carovska në profiling e saj në facebook.
Ministrinë e punës dhe politikës sociale do ta udhëheqë Jovanka Trençevska, ministrinë e bujqësisë Lupço Nikollovski. Në vend të ministrit të deritanishëm të drejtësisë Bojan Mariçiq vjen Nikolla Tupançevski, ndërkaq Mariçiq do të drejtojë zëvendës kryeministrinë për çështje europiane. Admirim Aliti do të drejtojë dikasterin e shoqërisë informatike, Bisera Kostadinova ministre e kulturës. BDI në kabinetin e Kovaçevskit përfaqësohet me ministrat e njëjtë, për të cilët kryeministri thotë se ka vlerësuar profesionalizmin e tyre të deritanishëm.
MERAL ISMAILI
