Lirman: Çështjet të zgjidhen në mënyrë dypalësh
Maqedonia e Veriut i ka plotësuar të gjitha kushtet....

Maqedonia e Veriut i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe duhet të fillojë negociatat pa vonesë, deklaroi Sekretarja e Shtetit Gjerman për Evropën Anna Lirman pas takimit me zv/kryeministren për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq.
Lirman theksoi se është e rëndësishme që çështjet bilaterale të zgjidhen pavarësisht nga procesi i anëtarësimit teksa shtoi se edhe me Bullgarinë kanë biseduar seriozisht për tejkalimin e bllokadës.
“Gjermania është serioze me perspektivën e BE-së për të gjitha vendet e rajonit. BE-ja për Maqedoninë e Veriut qëndron në fjalën e saj, të gjitha parakushtet për fillimin e negociatave të anëtarësimit janë përmbushur dhe negociatat e anëtarësimit me BE-në me vendin tuaj dhe Shqipërinë duhet të fillojnë. Gjermania do të vazhdojë edhe më tej mënyrë aktive të angazhohet për këtë” – tha Sekretarja e Shtetit gjerman për Evropën, Anna Lirmann.
Mariçiq: Zgjidhje në dialog të hapur me Bullgarinë
Mariçiq duke mos dashur të flasë për datë konkrete theksoi duhet që sa më shpejtë të arrihet korniza negociuese për konferencën e parë ndërqeveritare. Sipas tij në bisedime të hapura dhe direkte me Bullgarinë do të kërkojnë një zgjidhje për të hequr bllokadën.
“Sfida para nesh është e vetmja pengesë për fillimin e negociatave me BE-në. Besoj se do të tejkalohet me vullnet të mirë dhe të sinqertë nga të dyja palët në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe postulatet evropiane” – u shpreh Zv.Kryeministri për çështje Evropiane, Bojan Mariçiq.
Kryeministri Kovaçevski dhe Lirman pas një takimi të përbashkët janë dakorduar se integrimi i plotë i Ballkanit Perëndimor është në interesin politik dhe ekonomik të BE-së si një investim gjeostrategjik për një Evropë stabile.
Kovaçevski ka potencuar se qeveria e re mbetet në kursin evrointegrues të vendit dhe në takimin me kryeministrin bullgar sheh një hap përpara për gjetjen e një zgjidhje reciprokisht të pranueshme.
Ndërkohë gjatë takimit me ministren Lirman presidenti Pendarovski ka theksuar se mbetemi të përkushtuar ndaj integrimeve evropiane dhe presim fillimin e shpejtë të negociatave. “Jemi të gatshëm të vazhdojmë dialogun me Bullgarinë në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore për të tejkaluar bllokadën e integrimeve evropiane”, ka theksuar Pendarovski. (Naim Ramadani, TVM2)
