Luhrmann nuk e thotë prerë a duhet ndarë Shqipëria dhe RMV
Ministrja gjermane për Europën, Anna Luhrmann gjatë vizitës në Tiranë...

Ministrja gjermane për Europën, Anna Luhrmann, gjatë vizitës në Tiranë, nuk ka dhënë përgjigje të prerë nëse Shqipëria duhet të ndahet nga Maqedonia e Veriut, sa i përket fillimit të bisedimeve me BE-në.
Ajo ka thënë se ka marrë sinjale pozitive nga Bullgaria se do të ndihmojë në çuarjen përpara të integrimeve.
“Që prej marrjes së detyrës së re në bisedat e mia në Bruksel, e kam diskutuar këtë çështje që të ecim përpara në nisjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërisë. Muajin e ardhshëm ne do të diskutojmë në forumet në Bruksel dhe në të ardhmen e afërme do bëjmë përpara në këtë drejtim. Për ne ka rëndësi që të ecim sa më shpejt në këtë rrugë në nisjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, kemi marrë sinjale pozitive dhe nga Bullgaria që të gjejmë në një moment sa më të afërm për një zgjidhje sa më të përshtatshme.”,- tha ministrja gjermane për Europën, Anna Luhrmann.
Ministrja gjermane udhëtoi drejt Tiranës menjëherë pas vizitës në Shkup, ndërsa në kryeqendrën shqiptare ajo u prit nga zëvendëskryeministri, Arben Ahmetaj. Shqipëria i ka bërë detyrat e shtëpisë për hapjen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, theksoi Ahmetaj.
Sa i përket nismës “Open Balkan”, ministrja gjermane Luhrmann deklaron se i mbështet nismat rajonale të cilat ashtu si edhe Procesi i Berlinit kërkojnë zhvillimin e Ballkanit Perëndimor, por ajo theksoi nevojën për gjithëpërfshirje në këtë iniciativë, të cilës tani për tani nuk i janë bashkangjitur Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, si dhe Mali i Zi. (Rexhep Qamili, TVM2)
