Maqedoni
Petkov: Njohim emrin e shkurtër Maqedonia e Veriut
18.01.2022 14:15
Vizita e kryeministrit bullgar në Shkup, Petkov, u shoqërua me pajtimin e Sofjes...

Vizita e kryeministrit bullgar në Shkup, Petkov, u shoqërua me pajtimin e Sofjes për të njohur shkurtesën e emrit Maqedonia e Veriut, njëjtë më atë të gjatë - Republika e Maqedonisë së Veriut. Po ashtu Petkov tha se tani e tutje do të angazhohen për një dialog të ri dhe më konstruktiv në zgjidhjen e mospajtimeve.
“Atë që e arritëm sot dhe konfirmimi i pozicioneve tona është gjë reale dhe progres. Kjo është punë e përbashkët dhe prej tani e tutje do të kemi dialog të ri kontruktiv. Do të theksojmë të gjitha gjërat të cilat janë të përbashkëta dhe të cilat kanë mundësi të pasurojnë marrëdhënieve tona. Grupet e punës do të vënë theks në çështjet specifike të cilat duhet ti zgjidhim. Në përgjithësi, i mund t'ju siguroj me optimizmin e madh të sotëm për aktivitetet tona të përbashkëta dhe besoj se rezultatet do t’i shihni, do të vijnë çdo javë dhe shpresojmë të kemi rezultat për kohë të shkurtër.”,- tha kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov.
Kovaçevski: Njohja e shkurtesës, një hap drejt suksesit final
Tërheqja nga tavolina e bisedimeve e problemit me shkurtesë e emrit të shtetit, është shpresa e parë për optimizëm, theksoi kryeministri Kovaçevski.
“Me kryeministrin Petkov arritëm marrëveshje që Bullgaria të pranojë të përdorë emrin e shkurtër - Maqedonia e Veriut, njëjtë sikur emrin e gjatë - Republika e Maqedonisë së Veriut. Kjo do të thotë se Bullgaria nuk do ta pengojë më përdorimin e emrit të shkurtër në asnjë proces ndërkombëtar dhe bilateral dhe për këtë ka njoftuar edhe OKB-në. Në të njëjtën kohë, MPJ e RMV-së ka dërguar notë verbale në OKB për përdorimin e gjatë dhe të shkurtër, ku vërtetohet se të dy emrat janë të vlefshëm në mënyrë të barabartë dhe se nuk ka implikim të integritetit territorial të Bullgarisë.”,- tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Petkov: Marrëveshja e fqinjësisë së mirë, qartëson saktë çështjen e gjuhës
Duke folur për dallimet që i tangojnë historisë së dy shteteve, Kovaçevski tha se kësaj çështjeje do t'i jepet më tepër afat, ndërsa fokusi i palëve do të mbetet në stimulin dhe argumentet që do t'i hapin rrugën eurointegrimit të vendit. Edhe kryeministri bullgar Petkov theksoi se momentalisht përparësi do të kenë gjërat që na bashkojnë. Duke folur për kontestin me gjuhën, Petkov me përgjigje se Marrëveshja për Fqinjësi të Mirë dhe dokumentet tjera qartësojnë mirë definimin e gjuhës.
“Jemi krenar që ishim të parët që njohëm pavarësinë e Maqedonisë së Veriut dhe me këtë Bullgaria respekton vetpërcaktimin e të gjithë qytetarëve në vend si dhe përdorimin e gjuhëve siç i përshkruan kushtetuta.”,- theksoi kryeministri i Bullagrisë, Kiril Petkov.
Në përfundimit të konferencës së përbashkët mes dy kryeministrave, një gazetare bullgare i dhuroi kryeministrit Kovaçevski një mollë.
“Më lejoni të jua dhurojë një mollë të kuqe bullgare, në shenjë besimi se ju do të kujdeseni për ruajtjen e unitetit mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.”,- u shpreh një gazetare.
Njëherit dy kryeministrat informuan për mbledhjen e përbashkët ndërqeveritare e cila do të mbahet më 25 janar, që sipas tyre, paraqet element të rritjes së besimit mes palëve.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
