Maqedoni

Grubi-Abdrakhmanov: RMV, shembull i respektimit të komuniteteve

18.01.2022 14:56

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi...

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi, ka pritur në takim komisionarin e lartë të OSBE-së për çështje të minoriteteve, ambasadorin Kairat Abdrakhmanov.
 
Grubi dhe Abdrakhmanov gjatë këtij takimi diskutuan rreth lirive dhe të drejtave të njeriut, për të cilat si u tha, Republika e Maqedonisë së Veriut mund të merret si shembull jo vetëm në rajon por edhe më gjerë. Në këtë frymë Grubi i tha komisionarit Abdrakhmanov se Maqedonia e Veriut ka realizuar Marrëveshjen e Ohrit, nga e cila buruan të drejtat dhe liritë për të gjithë etnitetet joshumicë në vend. Krahas Marrëveshjes së Ohrit, Grubi dhe Abdrakhmanov biseduan edhe për Marrëveshjen e Prespës si dhe atë të fqinjësisë së mirë me Republikën e Bullgarisë.
 
Zëvendëskryeministri Grubi propozoi themelimin e institutit për parandalim të konflikteve në kuadër të Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, në bashkëpunim të afërt me zyrën e OSBE-së, për të promovuar praktikat pozitive të Marrëveshjes paqësore të Ohrit, me ç’rast komisionari Abdrakhmanov e pranoi me entuziazëm këtë iniciativë bashkëpunimi. Grubi njëherit ka theksuar edhe prioritetet e Qeverisë gjatë këtij mandati, përkatësisht aktivitetet që duhet të ndërmerr Republika e Maqedonisë së Veriut para fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.
 
Grubi dhe Abdrakhmanov biseduan edhe për rolin që ka OSBE në të gjitha proceset demokratike, por edhe sfidat dhe përparësitë që Maqedonia e Veriut do t’i ketë gjatë kryesimit me OSBE-në.