Ekonomi

Qeveria shpalli gjendje krize për furnizimin me energji termike

18.01.2022 16:06

Nga 21 janari SHA EMV do të marrë menaxhimin me BEG dhe ngrohtoren Shkup-Veri...

Nga 21 janari SHA EMV do të marrë menaxhimin me BEG dhe ngrohtoren Shkup-Veri, për të cilën u vendos në seancën qeveritare, informoi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Qeveria shpalli gjendje krize në sektorin për furnizim me energji termike, por ende nuk dihet se sa do t’i kushtoj shtetit kjo situatë. Bekteshi tha se për momentin kanë në disponim 6 milion euro, por se sa para duhen, do të varet nga çmimet e gazit në periudhën e ardhshme. 
 
“Llogaritjet për 6 milionë eurot janë bërë me çmimet në bursë të gazit natyror për muajin janar. Tani presim ofertat për muajin shkurt dhe mars, sipas atyre projeksioneve do të bëhen përllogaritjet, por ta dijë opinioni se ne nuk subvencionojmë kompanitë private dhe për këtë ka vendim që EMV të marrë përsipër dhe ne në ndihmë të qytetarëve do të dalim përmes EMV-së, e jo përmes BEG-ut.”,- tha ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
 
VMRO-DPMNE, kritika qeverisë për shpalljen e gjendjes së krizës
 
Nga ana tjetër, opozitarja VMRO-DPMNE pyet se pse Qeveria ka lejuar që vendi të jetë në gjendje krize kur çmimi i gazit është një situatë që mund të parashikohet.
 
“Pse qeveria e LSDM-së nuk arriti të sigurojë gazin me çmim të ulët siç bënë vendet e tjera të rajonit dhe botës? Pse qeveria e LSDM-së e paraqet këtë si sukses të saj kur çmimi i gazit do të paguhet sërish nga paratë e qytetarëve?”,- tha zëdhënësja e VMRO-DPMNE-së, Marija Miteva.
 
Problemet me ngrohjen qendrore nisën pas Vitit të Ri, kur shumë përdorues u përballën me radiatorë të ftohtë ose pa ngrohje fare në temperatura minus. Pasi BEG paralajmëroi se nuk ka më gaz për të prodhuar ngrohje, qeveria nënshkroi një marrëveshje me TE-TO, sipas së cilës ky termocentral do të funksionojë 7 ditë në javë. Energjia elektrike e tepërt do të blihet nga EMV me çmim prej 170 euro dhe ujin e nxehtë që do të marrë në prodhim, do ta lëshojë në sistemin BEG.
 
ERSAN PAJAZITI