Maqedoni
Personat me nevoja të veçanta: Me 11 mijë denarë vështirë të jetohet
18.01.2022 18:06
Pjesë e shoqërisë tonë janë edhe personat të cilët e kalojnë jetën në karrocë...

Ata janë personat me nevoja të veçanta, të cilët ashtu si edhe pjesa tjetër e shoqërisë, po i ndjejnë pasojat e krizës ekonomike. Bejtulla Bejtullai nga fshati Orllancë të komunës së Haraçinës, është person me aftësi të kufizuara dhe thotë se jetën e ka shumë të vështirë.
Ai thonë se me 11 mijë denarë ndihmë e kanë të vështirë t’i plotësojnë nevojat, prandaj apelon te qeveria e re që të ketë kujdes edhe për këtë kategori.
“Me 11 mijë denarë me i marr të gjitha barnat që më takojnë t’i marr nuk më dalin dhe unë barnat i kam lënë anash, ato që janë më të shtrenjta nuk i marr, se me ato edhe duhet të jetoj, të ushqehem prej tyre dhe barnat t’i marr. Tani unë si banor i RMV-së nuk kam të drejta, pse nuk kam përvojë pune, nuk kam të drejta për asgjë, as për pension.”,- tha anëtari i SOS nga fshati Orllancë, Bejtulla Bejtullai.
Kujdes më të madh nga institucionet kërkon edhe anëtari tjetër i Shoqatës SOS Vita, Zhivko Milevski.
“I bëjmë apel Qeverisë së re që të mos i harrojë personat me nevoja të veçanta, sepse Qeveritë e kaluara na harruan shumë. Të na plotësohen të gjitha nevojat që i kërkojmë ne të na rriten të ardhurat tona, pa të cilat ne nuk mund të mbijetojmë.”,- u shpreh anëtari në “SOS Vita”, Zhivko Milevski.
Kryetari i Shoqatës SOS VITA, Ertan Shaqiri, kërkon nga pushteti ndryshime ligjore në interes të personave me nevoja të veçanta, pasi me ndihmën prej 11 mijë denarësh, edhe ai thotë se vështirë ia dalin të mbijetojnë.
“Duam nga çdo ministër nga çdo drejtori që ligjet të ndryshohen për personat me nevoja të veçanta, sepse me 11 mijë denarë nuk mund të jetojnë se kemi anëtarë në këtë shoqatë që ka vetëm barna mbi 12 mijë denarë. Si mund të mbijetojë një person me aftësi të kufizuara me 11 mijë denarë.”,- u shpreh Ertan Shaqiri nga “Sos Vita”.
Shaqiri njëherit apelon te komunat e Çairit dhe Haraçinës, por edhe te komunat tjera që t’i eliminojnë pengesat në rrugë dhe institucione për lëvizjen e personave me nevoja të veçanta.
VLORA LATIFI STOPOJANI
