Botë
Akuza për trafikim emigrantësh drejt BE-së, SPAK lëshon 25 urdhër-arreste
19.01.2022 13:22
SPAK ka lëshuar 25 urdhër arreste për persona të përfshirë në trafikun e emigrantëve nga Lindja....

SPAK ka lëshuar 25 urdhër arreste për persona të përfshirë në trafikun e emigrantëve nga Lindja. 18 prej tyre janë shqiptarë dhe 7 shtetas të huaj (palestinez, irakian, iranianë, egjiptianë dhe turq).
Një operacion i zhvilluar në Shqipëri, Greqi dhe Turqi ka zbuluar se si funksiononte aktiviteti kriminal i kontrabandimit të personave të ndryshëm. Pjesëtarët e 4 grupeve kriminale, 2 në Itali, 1 në Shqipëri dhe 1 në Turqi, pasi siguronin persona të ndryshëm kryesisht në Irak, Siri, Egjipt e vende të tjera kundrejt një shpërblimi monetar nga 5 000 deri në 10 000 Euro, i kontrabandonin ato në rrugë tokësore dhe detare, duke ju mundësuar kalimin në mënyrë të paligjshme nga njëri shtet në tjetrin me destinacion përfundimtar vendet e BE-së.
Nga hetimi i përbashkët i kryer janë dokumentuar 30 episode kontrabandimi të 1.120 emigrantëve. Operacioni është zhvilluar njëkohësisht në tri shtetet pjesë të skuadrës dhe në disa shtete të tjera. Hetimet dhe operacioni janë zhvilluar midis Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Shqipëri; Seksionit Antimafia të Prokurorisë së Lecces, Itali; si dhe të Prokurorisë së Përgjithshme të Apelit Athinë, Greqi, me koordimin e EUROJUST dhe ndihmën e EUROPOL-it.
