Maqedoni

Qeveria Kovaçevski, Xhelili: Vazhdojnë politikat e vjetra, pa vizion

19.01.2022 15:11

Kritika për programin qeverisës por edhe ministrat e përzgjedhur, u thanë në “Argument” në TVM2...

Kritika për programin qeverisës por edhe ministrat e përzgjedhur, u thanë në “Argument” në TVM2. Analisti politik, Zudi Xhelili, skeptik se programi i përgjithshëm qeveritar, por edhe pikat e përfshira nga Alternativa janë vizionare dhe shpëtojnë qytetarët nga krizat.
 
“Nuk e ka shpikur askush ujin e nxehtë se tash do të duhet reforma në drejtësi, edhe BDI promovoi vetingun dhe qenka shkak tani që Alternativa do ta rregullojë drejtësinë, do ta rregullojë Alternativa tani shëndetësinë e kështu me radhë. Ne jetojmë në një shtet ku çdo ditë thellohet kriza. Nuk mund të kenë rezultate këta njerëz që i propozon Kovaçevski për shkak se të gjithë ata kanë humbur në zonat e tyre.”,- u shpreh analisti politik, Zudi Xhelili.
 
Aliti: S’kemi argumente për ekzekutiv të dështuar
 
Me vlerësimin e tillë nuk pajtohet analisti, Faton Aliti, sipas të cilit duhet dhënë kohë për të parë kapacitete e tyre në realizimin e politikave shtetërore.
 
“Nuk kemi asnjë argument se këta njerëz të propozuar paskan humbur në vendet e veta, unë nuk e di kur kanë konkurruar dhe si kanë mundur të humbin si individ në qoftë se kanë konkurruar në zgjedhje parlamentare. Në qoftë se kanë konkurruar në lista për këshilltarë përsëri nuk mund ta matësh cili prej tyre individualisht paska fituar ose paska humbur si pjesë e një liste përderisa nuk kemi lista të hapura.”,- theksoi analisti politik, Faton Aliti.
 
Sulejmani: Alternativa i sjellë vlera të reja ekzekutivit
 
Nga Alternativa thonë se i kanë dhënë një frymë të re qeverisë dhe janë të bindur në realizimin e kërkesave të tyre duke nisur nga eurointegrimet, drejtësia, zhvillimi i barabartë rajonal si dhe subvencionimi familjar.
 
“Unë jam i bindur se me kuadrot të cilat edhe ne si Alternativë i kemi ofruar për të udhëhequr dikastere të caktuara edhe do t’i japim një vlerë të re kësaj qeverie, edhe do të ndikojmë pozitivisht në përmirësimin e gjendjes së krijuar nga këto kriza të cilat u shkaktuan periudhave të fundit. Jam i bindur dhe e kam mendimin tim pozitiv se kjo qeveri do ta çojë mandatin deri në fund.”,- theksoi Driton Sulejmani nga Alternativa.
 
Alternativa në kabinetin e Kovaçevskit përfaqësohet me tre ministra, të shëndetësisë, shoqërisë informatike dhe administratës dhe ministrinë pa resor. LSDM ndryshoi disa ministra, përpos BDI-së e cila përfaqësohet me të njëjtat figura në ekzekutiv.
 
MERAL ISMAILI