Dita e Ujit të Bekuar, ortodoksët festojnë pagëzimin e Jezu Krishtit
Në festën e Ujit të Bekuar...

Në festën e Ujit të Bekuar, në të gjitha qytetet në vend, besimtarët ortodoksë morën pjesë në ceremonitë fetare të hedhjes së kryqit në ujë, simbolikë kjo për pagëzimin e Jezu Krishtit nga Shën Jovani në ujërat e lumit Jordan.
“Për këtë shkak lajmërimi i Zotit është ngjarje e përditshme vetëm për ata që i dëgjojnë dhe plotësojnë mesazhet nga qielli, gjegjësisht i dëgjojnë dhe plotësojnë ligjet dhe urdhrat e fesë. Prandaj të ndriçohemi edhe ne me dritën e papërmbajtshme, duke pyetur veten se vallë rruga jonë jetësore na afron ose na largon nga e vërteta.”,- tha kreu i Kishës Ortodokse Maqedonase-Arqipeshkvia e Ohrit, z. z. Stefan.
Ceremonia që dy vitet e fundit u la nën hije nga pandemia, sivjet sërish u mbajt me protokolle anti-Covid. Në Shkup morën pjesë sipas protokolleve, vetëm 20 besimtarë, por sivjet nuk pati garë për kapjen e kryqit, e ata e pritën hedhjen e tij të gjithë së bashku të përqafuar.
“Këtë vit u kapëm të gjithë dorë për dore, sepse në këtë ditë bashkohet trupi me Zotin dhe ne bëmë një gjest ku kryqi do të jetë me të gjithë ne dhe dorëhiqemi nga të gjitha shpërblimet materiale. Kryqi do të jetë te të gjithë besimtarët dhe së bashku do ta kthejmë në kishë.”,- theksoi fituesi në kapjen e kryqit në Shkup.
Në Ohër, gara për kapjen e kryqit ishte e fortë, pasi kapja e tij do të thotë një vit fat për familjen e besimtarit.
Në Tetovë në ceremoni morën pjesë simbolikisht vetëm 3 vetë, e në Manastir kryqi u hodh në pishinë.
“Pas kryqit shkoj tashmë 10 vite dhe kisha dëshirë të madhe që ta kapi kryqin të paktën një herë në jetë. Ja ku u realizua dhe ndjehem për mrekulli, mendoj se do më sjell fat e mirëqenie në familje.”,- tha Martin Goçovski – fituesi në kapjen e kryqit në Ohër.
“Për herë të gjashtë kërcej pas kryqit, kjo është e katërta herë që kryqin e kam në duart e mia.”,- u shpreh fituesi në kapjen e kryqit në Manastir.
Festën e Ujit të bekuar e uruan edhe krerët më të lartë shtetërore, duke uruar paqe, shëndet e mbarësi. (Belinda Koka Ademi, TVM2)
