Maqedoni
Vizita në Shkup, Petkov: Ishte kontruktive, duhet ende angazhim
19.01.2022 15:41
Kryeministri bullgar, Kiril Petkov, e ka cilësuar konstruktiv vizitën e tij me zyrtarët në Shkup.....

Kryeministri bullgar, Kiril Petkov, e ka cilësuar konstruktiv vizitën e tij me zyrtarët në Shkup. Realiteti që Sofja pranon emrin e shkurtër të shtetit, paraqet sukses, ka thënë Petkov, duke shtuar se megjithatë, ekzistojnë edhe shumë çështje tjera të hapura që kërkojnë angazhim dypalësh.
“Nota në realitet garanton se Republika e Maqedonisë së Veriut nuk ka pretendime territoriale ndaj Bullgarisë. Edhe pse është diçka normale që në fakt duhej ata ta thoshin, sidoqoftë për atë notë është biseduar, negociuar, ndërsa ne e fituam për shkak se realizuam vizitë të re me konstruktivitet. Duhet të kuptohemi se atë që kemi bërë paraqet sukses të madh, por na presin edhe shumë punë përpara.”,- tha kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov.
Integrimi i RMV-së në BE, Radev: Të ndihmojmë vëllezërit të tejkalojnë të shkuarën
Raportet bullgaro-maqedonase i ka komentuar edhe presidenti Rumen Radev. Potencon përkrahjen e tij për eurointegrimin e RMV-së, por fton të respektohen kushtet. Nëse duan vëllezërit tanë të integrohen në BE, le t’i plotësojnë kriteret dhe të çlirohen nga ideologjia e kaluar, thotë Radev.
“Unë jam mes politikanëve që angazhohet për Maqedoninë e Veriut të bëhet anëtare e BE-së një orë e më parë. Pikërisht për këtë duhet t’ju ndihmojmë vëllezërve tanë që t’i tejkalojnë mbetjet ideologjike nga e kaluara totalitare dhe t’i realizojnë kriteret për anëtarësim. Si anëtare përgjegjëse e BE-së, Bullgaria duhet të integrojë në union partnerë dhe jo probleme.”,- u shpreh kryetari i Bullgarisë, Rumen Radev.
Përpara deputetëve bullgarë, Radev është shprehur i kënaqur se qëndrimi për marrëdhëniet me RMV-në i bashkon nën një konsensus të përbashkët të gjithë politikanët bullgarë. Por, Radev sërish ka theksuar përfshirjen e bullgarëve në kushtetutën e RMV-së. Deklaratat e këtilla janë komentuar nga presidenti Pendarovski. Për Tv 24, shefi i shtetit i ka quajtur përzierje në punët e brendshme kërkesat për inkorporim të bullgarëve në kushtetutë.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
