Maqedoni
Covid-19, 439 pacientë në spitale, shtohen dhe kontrollet
19.01.2022 15:55
Gjendja epidemiologjike në vend është rënduar ndjeshëm....

Gjendja epidemiologjike në vend është rënduar ndjeshëm. Janë rreth 2000 të infektuar brenda një dite dhe 439 pacientë në trajtim spitalor. Brenda një dite rreth 130 pacientë kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Klinikën Infektive në Shkup. Kapacitetet spitalore në këtë klinikë pothuajse janë plotësuar, aktualisht atje ka 70 pacientë. Të gjithë janë me gjendje klinike mesatarisht të rënduar deri në të rënduar shëndetësore. Nga klinikat infektive apelojnë që të sëmurët fillimisht t’u drejtohen mjekëve amë.
“Nëse merrni test pozitiv dhe keni probleme shëndetësore, thërrisni mjekun amë për instruksionet e para shëndetësore. Mjekët amë, në komunikim me mjekët në qendrat Covid, do t’u udhëzojnë për trajtime të mëtejshme.”,- theksoi drejtoresha në Klinikën Infektive, Milena Stevanoviq.
Edhe në Spitalin e Qytetit “8 shtatori”, kapacitetet spitalore pothuajse janë plot.
“Për momentin kemi tri reparte ku janë vendosur 70 pacientë, dy prej të cilëve janë në gjendje më stabile, megjithëse edhe atje ka pacientë me mbështetje oksigjeni. Në repartin intensiv janë pacientët me gjendje më të rënduar, ndoshta në nivel të shtetit, pasi mbi 90% e pacientëve janë sjellë nga klinika tjera, në gjendje të rëndë nga Kovid-19, në fazën e tretë të sëmundjes me dëmtime organike.”,- u shpreh Daniela Buklioska Ilievska nga SPITALI “8 shtatori”.
Vaksinimi mbetet apeli i mjekëve si mbrojtje më e mirë nga virusi Korona.
VLORA LATIFI TOPOJANI
