Maqedoni

Covid-19, 439 pacientë në spitale, shtohen dhe kontrollet

19.01.2022 17:11

Gjendja epidemiologjike në vend është rënduar ndjeshëm...

Janë rreth 2000 të infektuar brenda një dite dhe 439 pacientë në trajtim spitalor. Brenda një dite rreth 130 pacientë kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Klinikën Infektive në Shkup. Kapacitetet spitalore në këtë klinikë pothuajse janë plotësuar, aktualisht atje ka 70 pacientë.
 
Të gjithë janë me gjendje klinike mesatarisht të rënduar deri në të rënduar shëndetësore. Nga klinikat infektive apelojnë që të sëmurët fillimisht t’u drejtohen mjekëve amë. 
 
“Nëse merrni test pozitiv dhe keni probleme shëndetësore, thërrisni mjekun amë për instruksionet e para shëndetësore. Mjekët amë, në komunikim me mjekët në qendrat Covid, do t’u udhëzojnë për trajtime të mëtejshme.”,- theksoi drejtoresha në Klinikën Infektive, Milena Stevanoviq.
 
Edhe në Spitalin e Qytetit “8 shtatori”, kapacitetet spitalore pothuajse janë plot.
 
“Për momentin kemi tri reparte ku janë vendosur 70 pacientë, dy prej të cilëve janë në gjendje më stabile, megjithëse edhe atje ka pacientë me mbështetje oksigjeni. Në repartin intensiv janë pacientët me gjendje më të rënduar, ndoshta në nivel të shtetit, pasi mbi 90% e pacientëve janë sjellë nga klinika tjera, në gjendje të rëndë nga Kovid-19, në fazën e tretë të sëmundjes me dëmtime organike.”,- u shpreh Daniela Buklioska Ilievska nga Spitali “8 shtatori”.
 
Edhe pse  javën e kaluar te grupmosha prej 0 deri 9 vjet janë regjistruar vetëm 209 raste Covid, sërish shqetësues është fakti se Covid tani rrezikon edhe fëmijët, ndryshe nga fillimi pandemisë. Në spitalin në Kozle aktualisht ka 22 fëmijë të shtruar, pacienjta më e vogël vetëm 2 muajshe.
 
Gjysmëvjetori i dytë shkollor tashmë është shtyrë për dy javë, me shpresë për kalimin e pikut të kësaj vale. UNICEF thotë se vendimi i Qeverisë për shtyrjen e fillimit të vitit shkollor duhet të jetë masë e përkohshme dhe të bëhet çdo përpjekje që fëmijët të kthehen në klasa.
 
“Maqedonia e Veriut tashmë kishte mbylljen më të gjatë të shkollave në rajon, për 54 javë. Një tjetër valë mbylljeje shkollash do të ishte katastrofike për fëmijët”,- përkujtojnë nga UNICEF.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI