Maqedoni

Kontesti maqedono–bullgar, LSDM fton partitë në dialogun me Bullgarinë

20.01.2022 13:58

LSDM ka ftuar gjitha partitë politike për pjesëmarrje në grupet e punës në dialogun me Bullgarinë....

LSDM ka ftuar gjitha partitë politike për pjesëmarrje në grupet e punës në dialogun me Bullgarinë. Sipas socialdemokratëve nevojitet partneritet nga gjitha partitë politike në interes të përmirësimit të marrëdhënieve me Bullgarinë, që të hapet rruga integruese e vendit. Njëkohësisht s’do lejojnë që kontesti i hapur të përdoret për pikë politike, siç ka vepruar VMRO–DPMNE, thonë nga LSDM.
 
“Çdo ndihmesë nga cilado parti e cila ka qëllime të sinqerta në gjithë procesin, mund të vijë, të ndihmojë dhe kontribuojë për një zbatim më të mirë të dialogut, por gjithsesi nuk do të lejojmë politikbërje të cilën e pamë periudhën që shkoi nga ana e VMRO – DPMNE–së. Ata po përpiqen që të fitojnë poenë politik duke prishur marrëdhëniet. Një partner i tillë nuk na nevojitet.”,- u shpreh deputeti i LSDM-së, Darko Kaevski.
 
VMRO–DPMNE mohon të ketë marrë ftesën
 
Nga VMRO–DPMNE sigurojnë se ende nuk kanë marrë ftesë për pjesëmarrje në grupet e punës.
 
“Ftesë të tillë VMRO–DPMNE nuk ka, por nëse arrin, s’do marrim pjesë vetëm sa për të qenë element dekorues i qeverisë dhe t’i japim legjitimitet funksionimit të tyre të gabuar.”,- u shpreh zëdhënësi i VMRO–DPMNE–së, Dimçe Arsovski.
 
Nga VMRO apelojnë që ministri për punë të jashtme, Bujar Osmani, të participojë në punën e Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvend dhe njëkohësisht të raportojë për punën e bërë.
 
MERAL ISMAIILI