Maqedoni
VMRO-DPMNE: Të gatshëm për zgjedhje edhe pa qeveri teknike
20.01.2022 15:00
LSDM dhe VMRO-DPMNE mbeten në qëndrimet e tyre rreth kërkesës së kësaj të fundit për zgjedhje të parakohshme parlamentare...

LSDM dhe VMRO-DPMNE mbeten në qëndrimet e tyre rreth kërkesës së kësaj të fundit për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nga VMRO-DPMNE kanë përsëritur kërkesën e tyre për zgjedhje të parakohshme, teksa thonë se janë të gatshëm për ndryshime në Kodin Zgjedhor, për të shfuqizuar Qeverinë e Përzhinës, por edhe për dialog lidhur me kërkesën e partive politike më të vogla për një zonë zgjedhore.
“VMRO-DPMNE është e gatshme të diskutojë ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe të dëgjojë kërkesat e partive më të vogla politike për një zonë zgjedhore. Nëse ky është problem i LSDM-së dhe BDI-së, atëherë VMRO-DPMNE do të pranojë zgjedhje të parakohshme parlamentare pa qeveri teknike dhe me një zonë zgjedhore.”,- tha Marija Miteva nga VMRO-DPMNE.
LSDM: Zgjedhje do të ketë në vitin 2024
Por, nga LSDM kategorisht hedhin poshtë kërkesën për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Sipas tyre, nuk është koha për zgjedhje të parakohshme, ndërsa zgjedhje të rregullta do të ketë në vitin 2024. Qeveria ka legjitimitet të plotë të zbatojë të gjitha reformat dhe projektet në interes të qytetarëve, thonë në LSDM.
“Zgjedhje parlamentare do të ketë në vitin 2024, zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të jenë zgjedhje të rregullta. Kjo qeveri ka legjitimitet të plotë në periudhën në vijim të zbatojë të gjitha reformat, të gjitha proceset, të gjitha projektet dhe çdo gjë që do të thotë e mirë për qytetarët, përmirësimin e standardit të qytetarëve dhe në këto 2 vite e gjysmë ka legjitimitet të plotë të bëjë gjithë këtë.”,- u shpreh Darko Kaevski nga LSDM.
Sipas LSDM-së, qytetarët nuk kanë nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare çdo vit, sepse kjo, sipas tyre, do të thotë ngecje shtesë e proceseve të sistemit. Atyre u duhet zbatimi i programit të qeverisë, që do të thotë një standard më i mirë për qytetarët, thonë nga LSDM.
NAIM RAMADANI
