Maqedoni
Përfaqësuesi diplomatik i shtetit në Sofje, Osmani: pritet propozim këto ditë
20.01.2022 15:54
Ministri i jashtëm, Bujar Osmani, ka paralajmëruar se për disa ditë do të ketë propozim për ambasador të shtetit në Sofje....

Ministri i jashtëm, Bujar Osmani, ka paralajmëruar se për disa ditë do të ketë propozim për ambasador të shtetit në Sofje. Për televizionin bullgar BTV, Osmani ka shprehur keqardhje për mungesën e përfaqësuesit diplomatik të shtetit në Bullgari.
“Vërtetë ka qenë lëshim që gjithë këto vite nuk kemi pasur ambasador atje. Nuk kemi person të caktuar, por shpresoj se këto ditë të kemi një propozim për ambasador.”,- u shpreh ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
Efekti i vizitës së Petkovit në Shkup, Radev: Ka sinjale pozitive, procesi mund të ec përpara
Ndërkohë, nga Sofja zyrtare vazhdon të cilësohet produktive vizita e kryeministrit bullgar Petkov në Shkup. Kryetari, Rumen Radev, ka thënë se ngritja e përkushtimit dypalësh në përforcimin e lidhjes mes dy shteteve, si dhe angazhimi për të tejkaluar dallimet, mund të jetë hapi i parë për të zhbllokuar të procesin eurointegrues të RMV-së.
“Ka shumë sinjale pozitive. Tash shpresoj se së bashku me hapat për përmirësimin e lidhshmërisë, investimeve, ekonomisë, bashkëpunimit duke mos harruar edhe çështjet kryesore që duhet të zgjidhen, do t’i hapet dera fillimit të bisedimeve.”,- u shpreh kryetari i Bullgarisë, Rumen Radev.
Për presidentin bullgar është e pamundur që Maqedonia e Veriut të kërkojë reciprocitet nga Sofja për njohjen e pakicës maqedonase në Bullgari. Radev këtë tezë e arsyetoi me faktin juridik se sistemi politik bullgar mbron të drejtat individuale, gjersa në Maqedoninë e Veriut të drejtat e njeriut bazohen nën mbrojte kolektive.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
