Maqedoni
Aksidenti tragjik në Bullgari, përfundon grumbullimi i dëshmive
20.01.2022 16:29
Prokuroria bullgare ka përfunduar procesin e grumbullimit të dëshmive për aksidentin e rëndë tragjik ku në autostradën “Struma” në Bullgari...

Prokuroria bullgare ka përfunduar procesin e grumbullimit të dëshmive për aksidentin e rëndë tragjik ku në autostradën “Struma” në Bullgari jetën e humbën 45 persona nga RMV. Zëdhënësja e prokurorit të përgjithshëm, Sijka Mileva, thotë se nga hetimi i përfunduar janë mbledhur një numër i madh i dëshmive të nevojshme për të zbardhur rrethanat objektive për ngjarjen tragjike. Hetuesia bullgare e ka nisur kërkesën për ndihmën juridike deri tek Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të organizuar në Shkup, ku në bazë të legjislacionit bullgar, kjo prokurori do të mund t’u dalë në ndihmë familjarëve të cilët do të dëshirojnë të ngrenë padi civile në procedurën gjyqësore.
“Për momentin familjarët e viktimave janë duke u njoftuar për të drejtat e tyre në lidhje që ua mundëson legjislacioni bullgar dhe pasi që të prononcohen nëse dëshirojnë të njihen me materialet nga procedura parahetimore më pas prokurorët bullgarë do ta përpilojnë aktakuzën e cila po ashtu do të varet edhe nga plotësimi i lutjes për ndihmë juridike nga Maqedoninë e Veriut.”,- tha zëdhënësja e Prokurorit të Përgjithshëm në Bullgari, Sijka Mileva.
Shefja e Prokurorisë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Villma Ruskovska, thotë se deri në këto momente nuk ka arritur kërkesa në fjalë. Thotë se pasi që do të arrijë dhe ta lexojë do të mund t’ua shpjegojë familjarëve se çfarë lloj të ndihmës juridike do të mund t’u jepet familjarëve në rast se ngrenë padi civile.
Familjarët kërkojnë informacione për stolitë e arit
Sa i përket pretendimeve të disa prej familjarëve të viktimave se në autobusin e djegur disa prej viktimave kanë pasur stoli ari në vlerë prej disa mijëra euro, Mileva thotë se të gjitha gjësendet personale të tyre u janë kthyer familjarëve.
“Ajo që mund të them tani është se të gjitha gjësendet personale të viktimave së bashku me trupat e viktimave ne ua kemi kthyer familjarëve të viktimave dhe organeve të Maqedonisë.”,- tha zëdhënësja e prokurorit të përgjithshëm në Bullgari, Sijka Mileva.
Në aksidentin tragjik në Bullgari jetën e humbën 45 persona, ndërsa vetëm 7 i mbijetoi lëndimeve. Të gjithë ishin duke u kthyer nga një ekskursion turistik nga Turqia për në Maqedoninë e Veriut.
REXHEP QAMILI
