Maqedoni

Kërkesa e Mickovskit për zgjedhje, Selmani: Kërkesë jokorrekte dhe frenuese. Evitojnë kryeministrin shqiptar

20.01.2022 17:31

Kërkesa e opozitës maqedonase të kryesuar nga VMRO-DPMNE për zgjedhje të parakohshme parlamentare...

Kërkesa e opozitës maqedonase të kryesuar nga VMRO-DPMNE për zgjedhje të parakohshme parlamentare, vetëm pak ditë nga zgjedhja e Qeverisë së re është jokorrekte politikisht, thotë profesori universitar, Bashkim Selmani, pasi, sipas tij, praktika e deritanishme njeh minimumin prej 100 ditësh që ka çdo qeveri e re për të treguar rezultatet e para.
 
Sipas Selmanit, kërkesa për zgjedhje në fakt fsheh tendencën për të frenuar procesin për mbylljen e kontestit me Bullgarinë.
 
“Roli i VMRO-së që gjithmonë ka qenë negativ ndaj këtyre proceseve madhore për ta nxjerr shtetin nga situata, ajo pretendon për zgjedhje të parakohshme edhe pse nuk është korrekte për arsye se VMRO ka qenë gjatë kohë në pushtet dhe tani duhet të pritet ku gjashtë mujor ose një vit dhe kjo qeveri aktuale ta japë testin e vet me të cilën do të nxirrte vendin nga kriza.”,- tha profesori universitar, Bashkim Selmani.
 
Veç kësaj, sipas profesorit Selmani, kërkesa e opozitës për ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe heqjen e Qeverisë teknike 100 ditë para zgjedhjeve ka për qëllim evitimin e marrëveshjes LSDM-BDI për kryeministër shqiptar në 100 ditët e fundit të këtij mandati.
 
“Nëse do të shfrytëzohet me sukses gjashtëmujori i parë për hapjen e negociatave atëherë do të ishte shumë lehtë edhe pretimi i dhënë që 100-ditëshin e fundit të jetë edhe kryeministri shqiptar dhe kjo është e drejtë kushtetuese dhe nuk ka pasur asnjë nga ato efektet e psikologjisë së vjetër të mentalitetit të Maqedonisë sepse çdo funksion që ka të bëjë me shqiptarët dhe vetë partitë politike shqiptare kanë dëshmuar që kanë viktimizuar shqiptarët për interesin e përgjithshëm të Maqedonisë.”,- tha profesori universitar, Bashkim Selmani.
 
Qëndrimi i VMRO-DPMNE-së se është e gatshme të përkrah ndryshimin e Kodit Zgjedhor që Maqedonia e Veriut të jetë një njësi zgjedhore, shihet edhe si karrem për partitë më të vogla që janë në koalicionin qeverisës me LSDM-në e që këtë çështje e kanë kërkesë bazike.
 
SHPËTIM NUREDINI