Maqedoni
Grupet punuese për zbatimin e marrëveshjes, Bekteshi: Kemi propozime konktere
21.01.2022 15:00
Qeveria caktoi ministrat që do të jenë bashkëkryesues dhe anëtarë të grupeve punuese për zbatimin e Marrëveshjes për Miqësi me Bullgarinë.....

Qeveria caktoi ministrat që do të jenë bashkëkryesues dhe anëtarë të grupeve punuese për zbatimin e Marrëveshjes për Miqësi me Bullgarinë. Zëv/kryeministri për çështje ekonomike Fatmir Bytiqi, ministri i financave Fatmir Besimi dhe ai ekonomisë Kreshnik Bekteshi janë pjesë e Grupit punues që ka të bëjë me ekonominë; në Grupin për infrastrukturën dhe transportin janë caktuar Bllagoj Boçvarski dhe Goran Milevski; në grupin për eurointegrime dhe politika të gjelbërta është Bojan Mariçiq, Naser Nuredini dhe Sllavica Gërkovska ndërsa në Grupin për kulturë dhe arsim janë: Artan Grubi, Jeton Shaqiri dhe Bisera Kostadinovska Stojçevska. Qeveria njoftoi se do të caktojë edhe bashkëkryesues dhe anëtarë të grupeve punuese në fushën e punëve të brendshme, mbrojtjes, shëndetësi, punë dhe politikë sociale.
Në pjesën e ekonomisë, tashmë ka propozime konkrete, të cilat do t’u prezantohen autoriteteve bullgare ditën e hënë dhe të martë.
“Në pjesën e ekonomisë, tregtisë dhe energjetikës ne kemi bërë të gjitha përgatitjet dhe të hënën dhe të martën do të shkojmë te fqiu jonë Bullgaria me propozime konkrete, marrëveshje dhe memorandume. Do të dëgjojmë edhe propozimet e tyre dhe me siguri në pjesën e ekonomisë mund të pajtohemi shumë lehtë.”, tha Kreshnik Bekteshi, ministër i ekonomisë.
VMRO: S’jemi të sigurt që do zgjidhin problemin
VMRO DPMNE konsideron se bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve mund të jetë në interes të qytetarëve dhe biznesit por dyshojnë se kjo mund të zgjidh kontestin që kanë palët.
“Ekonomia mund të afrojë të vendet me të vërtetë në pjesën e ekonomisë, në pjesën e bashkëpunimit mes kompanive, sektorit të biznesit dhe ekonomisë, sa i përket zgjidhjes së problemit nëse do të zgjidhin problemin e dy vendeve s’mund të jemi të sigurt.”, tha Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO DPMNE-së.
VMRO DPMNE refuzoi ftesën e qeverisë për pjesëmarrje në grupet punuese, pasi siç thanë, nuk duan të jenë dekor kur më nuk pranohen qëndrimet e kësaj partie për çështje thelbësore.
SHPËTIM NUREDINI
