Botë
Covid 19, rekord infektimesh në Gjermani
21.01.2022 18:32
Austria ka miratuar në Parlament vaksinimin me detyrim kundër COVID-19...

Austria ka miratuar në Parlament vaksinimin me detyrim kundër COVID-19, për të gjithë popullsinë në moshë madhore, duke u bërë vendi i parë i BE-së që merr një masë kaq drastike. Propozimi ishte diskutuar prej kohësh por tashmë është zyrtarizuar. Të gjitha partitë, përveç ekstremit të djathtë e aprovuan vendimin e ri.
"Rinis seancën e ndërprerë, tani shpallim rezultatin e votimit: Nga 170 vota në tërsi, prej tyre 137 vota janë pro dhe 33 vota janë kundër. Kështu miratohet projektligji për vaksinim të detyrueshëm”, u shpreh kryetarja e këshillit kombëtar në Austri, Doris Bures.
Por ky vendim ka nxitur reagime nga ekstremi i djathtë i Austrisë
“Futja e vaksinimit të detyrueshëm nuk është gjë tjetër veçse një sulm gjigant ndaj lirisë së Austrisë", theksoi Herbert Kickl nga partia e lirisë.
Vala e përhapjes së Omikronit po shkakton rekorde të reja infektimesh në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore. Gjermania shënoi rekord të ri infektimesh për gjithë periudhën e pandemisë me mbi 140 mijë raste. Ekspertët e virologjisë presin që infektimet ditore të arrijnë mbi 400 mijë raste brenda pak ditësh, edhe ne Gjermani po bisedohet për vaksinim të detyrueshëm.
“Çfarë të bëjmë nëse në vjeshtë vjen një valë tjetër e rëndë dhe në nuk kemi vaksinim të detyrueshëm? Për shembull, një valë e shkaktuar nga një virus që është po aq ngjitës sa Omicron, dhe i cili është po aq i rrezikshëm sa Delta apo më i rrezikshëm?”, u shpreh ministri i shëndetësisë së Gjermanisë, Karl Lauterbach.
Rekorde të reja infektimesh edhe në Poloni, Çeki, Rumani, Ukrainë e Rusi.
"Një tjetër shpërthim i koronavirusit ka filluar në Ukrainë. Qendra e këtij shpërthimi është në Ukrainën perëndimore. Situata më e ndërlikuar është në rajonin Ivano-Frankivsk, i cili është regjistruar në zonën e kuqe. Më lejoni t'ju kujtoj se të gjitha rajonet tona ishin ose në zonën e verdhë ose në portokalli", theksoi ministri i shëndetësisë së Ukrainës, Viktor Lyashko.
Infektimet janë në rënie në Shtetet e Bashkuara, por vdekjet ditore shënuan shifrën më të lartë prej Shkurtit të kaluar me 2700 raste.
