Kosovë, 3,206 raste të reja me “Covid-19”
Kosova regjistroi 3,206 raste të reja me koronavirus....

Kosova regjistroi 3,206 raste të reja me koronavirus në 24 orët e fundit. Kjo është shifër më e lartë krahasuar me një ditë më parë kur Kosova regjistroi 2,943 infektime.
Rastet e reja dalin pas testimit të 11,883 mostrave, që i bie se 26.97 për qind e të testuarve kanë rezultuar pozitivë me sëmundjen COVID-19.
Gjatë 24 orëve paraprake, nga koronavirusi janë shëruar 357 persona, ndërkaq 15,245 janë raste aktive. Për shkak të rritjes së rasteve javëve të fundit, Qeveria e Kosovës ka miratuar masa të reja kundër pandemisë, që kanë hyrë në fuqi më 22 janar.
Sipas masave të reja, kufizimi i lëvizjes do të aplikohet nga ora 22:00 deri në ora 05:00. Qytetarët që hyjnë në Kosovë duhet të jenë të vaksinuar me tri doza ose ata që nuk e kanë dozën përforcuese, duhet të kenë test negativ të llojit PCR të vlefshëm deri në 48 orë.
Qeveria e Kosovës ka vlerësuar se situata epidemiologjike është e qetë, mirëpo rreziku mbetet pasi varianti Omicron është dominues. Ky variant vlerësohet se është më i transmetueshëm sesa variantet paraprake të koronavirusit.
