Ministrat në Likovë, paralajmërohen projekte kapitale
Ministra e deputetë të BDI, sot qëndruan në një takim pune me kryetarin e Komunës, Sadulla Durakun, në Likovë....

Në këtë takim është biseduar për bashkëpunimin e Pushtetit Ekzekutiv dhe atij Lokal në realizimin e projekteve konkrete, që janë në dobi të qytetarëve, me theks të veçantë në Komunën e Likovës.
“Qëllimi i vizitës është të thellohet ai bashkëpunim që ka qenë një bashkëpunim i mirëfilltë. Do të vazhdojë ky bashkëpunim mes qeverisë dhe ministrave me komunat, ky është një vendim i marrë nga kryetari, Ali Ahmeti, që më herët e kemi arritur këtë vendim me kryesinë qendrore dhe kjo tani është duke vazhduar dhe kemi bashkëbiseduar për projektet e Komunës së Likovës, ku ministrat do ta japin atë të veten, se pranë meje janë dy ministra këtu”- deklaroi kryetari i Komunës së Likovës, Sadulla Duraku.
“Biseduam edhe për planin aksionar të të gjitha projekteve për vitin 2015. Kishte ide nga kryetari i Komunës së Likovës në resorin të cilin e udhëheq unë, pra atë të Ministrisë së Ekonomisë, për shqyrtimin ose analizat e një mundësie të re për Komunën e Likovës, për hapjen e një zone të lirë ekonomike dhe bëmë analiza të resorëve të ndryshëm, siç është Ministria e Pushtetit Lokal, për bashkëpunime rajonale të komunave të ndryshme po edhe ato ndërkufitare, kuptohet këtu ishte edhe ministri i Arsimit edhe në aspekt të arsimit u bisedua për projektet që janë në ecje”- tha ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
Gjithashtu, në takimin e sotëm, përpos përfundimit të projekteve ekzistuese, u bisedua edhe për projekte të reja, të cilat pritet të bëhen publike gjatë vitit 2015. (Nexhat Aqifi, TVM2)
