Franca regjistron mbi 400 mijë raste të reja me “Covid-19”

23.01.2022 13:23

Gjatë 24 orëve të fundit në Francë janë regjistruar mbi 400 mijë raste të reja....

Gjatë 24 orëve të fundit në Francë janë regjistruar mbi 400 mijë raste të reja dhe 235 viktima nga COVID-19.

Për shkak të rritjes së shifrave covid Franca ka vendosur masa të rënda kufizuese për qytetarët që nuk janë vaksinuar kundër koronavirusit.

Ata që nuk e kanë kryer vaksinën ose janë shëruar nga Covid-19 nuk do të kenë akses në të gjitha shërbimet publike.

Franca vendosi që kufizimet të mbeten në fuqi për aq kohë sa situata pandemike do të jetë kritike.

Gjermani, rritje të rasteve me “Omicron”

Edhe Gjermania po përballet me rritje të rasteve me koronavirus pavarësisht se më shumë se gjysma e popullsisë është imunizuar me dozën përforcuese të vaksinës kundër koronavirusit.

Rastet janë rritur shumë në Gjermani, veçanërisht në Berlin, që ka shënuar numrin më të madh të rasteve në 100,000 banorë në shtatë ditë.

Qeveria gjermane tha se situata në njësitë e kujdesit intensiv ishte nën kontroll dhe 16 për qind e shtretërve spitalorë aktualisht janë të zënë me pacientë të prekur me sëmundjen COVID-19.

Megjithatë, spitalet gjermane shpejt do të përballen me numër të madh të pacientëve për shkak të valës së shkaktuar nga varianti Omicron i koronavirusit, thonë virologët gjerman.

Sipas tyre situata në Gjermani është e vështirë për shkak të moshës mesatare të vendit, që është e lartë, por edhe numrit të njerëzve të pavaksinuar. Mijëra gjermanë kundërshtuan masat e vendosura për ta frenuar koronavirusin dhe vaksinimin e detyrueshëm dhe më 22 janar u protestuan në mbarë vendin.

Poloni, shifra rekord infektimesh për të dytën ditë

Edhe Polonia ka shënuar rekord infektimesh të reja për të dytën ditë radhazi, pasi brenda 24 orëve janë shtuar 40,876 raste të reja.

Kjo është shifra më e lartë që nga fillimi i pandemisë.

Në të njëjtën periudhë, u raportuan 193 vdekje për shkak të Covid-19. Polonia ka rreth 38 milionë banorë. Javën e kaluar, politikat e qeverisë polake për koronavirusin kanë çuar në një revoltë të hapur në organin e saj këshillues mjekësor.

Në protestën kundër rritjes së ndikimit të kundërshtarëve të vaksinimit, 13 nga 17 anëtarët u larguan nga Këshilli Mjekësor.

Edhe Zelanda e Re, që është një prej shteteve të pakta që ka shmangur shpërthimet me Omicron, pranoi se do të jetë e pamundur që të shmanget përhapja e këtij varianti, për shkak të transmetueshmërisë së lartë.

Nga 23 janari në Zelandën e Re do të aplikohen masa të reja, pasi janë regjistruar nëntë raste me Omicron në një familje që kishte udhëtuar nga jashtë vendit për të marrë pjesë në një dasmë.

Masat e reja në Zelandën e Re do të jenë në fuqi të paktën deri në fund të muajit të ardhshëm. (Gyltene Sinani, TVM2)