Maqedoni

Nata e “Krishtlindjeve”, besimtarët ndezin dritat e festës

24.12.2014 15:34

Në kohët e vjetra, njerëzit në fshatrat e largëta tuboheshin në procesione të gjata me drita në dorë, duke krijuar një pamje madhështore...

Dukeshin porsi përrockat që derdhen në lumenj, e që zhduknin errësirën e natës. Ky procesion i kohëve pagane vazhdoi edhe pas lindjes së krishterimit, por kësaj radhe njerëzit mblidheshin për të shkuar tek “Shpella e Betlehemit”, aty ku bashkohet Qielli dhe Toka. Kjo vazhdon të jetë simbolika e përvitshme e meshës së mesnatës.
 
Dritat në duart e besimtarëve mes natës së errët sjellin lajmin e gëzueshëm të fitores së diellit mbi errësirën.
 
Me këtë simbolikë të krishterët dërgonin “zjarrin e kësaj drite” në shtëpitë dhe vatrat e veta, që të ndizet zjarri i dashurisë, i mirësisë, i paqes dhe i ngrohtësisë në jetën familjare.
 
Krishtlindjet e para ishin në maj, prill e janar, ndërsa sot ato festohen me 25 dhjetor si “Dita e lindjes së Jezu Krishtit”.
 
Por, edhe dritat edhe simbolika e zbukurimit të bredhit nuk kanë shumë lidhje me vetë krishterimin.
 
Është një traditë që shtrihet shumë më herët, që në kohët pagane, kur njerëzit merrnin një bredh të gjelbër në shtëpinë e tyre dhe e zbukuronin për të treguar triumfin e natyrës mes egërsisë së dimrit.
 
Të krishterët tani vënë në majë të pemës një engjëll ose një yll, duke përfaqësuar kështu mikpritjen e engjëjve ose të yllit që nga lindja e Krishtit. 
 
“Lindja e Krishtit” festohet edhe më 7 janar nga kisha ortodokse, sipas kalendarit Julian. Kisha evangjeliste, katolike dhe ajo protestante festojnë në datat 24 dhe 25 dhjetor, sipas kalendarit Gregorian.
 
Pa marrë parasysh kur festohet, “Lindja e Krishtit” simbolizon dashurinë e perëndisë ndaj njerëzve, që është aq e madhe, sa sipas besimit të krishterë, ai dërgoi në tokë birin e tij të vetëm.
 
Dhe kjo është simbolika e “Krishtlindjeve”, lidhja e fuqishme mes perëndisë dhe fëmijëve të tij në Tokë dhe mesazhi i dashurisë së pashoq. 
 
SANIJE KASAMI