Të martën seanca ndërqeveritare Shkup-Sofje
Grupet punuese përfundojnë përgatitjet para seancës....

Grupet punuese përfundojnë përgatitjet para seancës ndërqeveritare të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, e cila do të mbahet të martën, më 25 janar, në Sofje.
Nga të dyja palët janë formuar grupet e punës dhe janë emëruar bashkëkryetarët e tyre. Eksponentë qeveritar deklaruan se në takim shkojnë me ide dhe projekte konkrete.
VMRO: Pazar diplomaci që dëmton pozitat
Në prag të seancës së përbashkët mes qeverive të dy vendeve respective, VMRO DPMNE akuzoi pushtetin për diplomaci tregu dhe dobësimin e pozicionit të vendit karshi asaj bullgare.
“Diplomaci tregu është e qartë se për çfarë nënkupton. Ka të bëjë me atë politikë të keqe që pamë nga ana e pushtetit dhe ato lëshime që bëhen dhe me të cilat dëmtohen pozitat negocuese. Për këtë morrëm edhe konfirmimin e ish ministrit, i cili derisa ishte ministër mohonte se ishin dëmtuar interesat nacionale dhe shtetërore karshi pazar diplomacisë.” – tha zëdhënësi i VMRO DPMNE-së, Naum Stoilkovski.
LSDM: Çfarë fsheh Mickovski nga takimi me Petkovin?
Akuza të recikluara dhe konstrukcione të rreme i ka quajtur LSDM pretendimet e eksponentëve të VMRO DPMNE-së.
“Opinioni sot priste që në tribunën e VMRO DPMNE-së të paraqitet Hristijan Mickovski dhe të përgjigjej në pyetjet për të cilat hesht me ditë. Çfarë fsheh Mickovski dhe VMRO DPMNE nga takimi me Petkovin? Për çfarë kanë folur në atë takim? Qytetarët e panë edhe më parë në takimin e Mickoskit me Bojko Borisovin se ai i ndryshon qëndrimet kur takohet me përfaqësues zyrtar. A ka ndodh kjo edhe në takimin me Petkovin?” – thuhet në reagimin e LSDM-së.
Arsovski: Duket se ka vullnet të ndërsjellë politik
Sipas analistit politik Petar Arsovski, vizita e kryeministrit bullgar dhe qasja reciproke dëshmon se ka vullnet të ndërsjellë politik për të mbyllur çështjet e hapura mes dy vendeve.
Formimi i grupeve të reja të punës, të pavarura nga komisioni historik, sipas Arsovskit është një notë positive, megjithatë, konsideron se koha do ta dëshmojë nëse këto grupe janë krijuar vetëm për të tërheq vëmendjen nga problemi real ose do t’i japin vlerë procesit.
“Nëse idea është që të maskohet çështja me komisione të reja, ndërkaq ajo të mbetet, atëherë kjo nuk do të kontribuojë për zgjidhje të shpejtë, por nëse idea është që të përmirësohet ambijenti i përgjithshëm duke e rritur edhe me ato çështje në të cilat kemi vlera positive atëherë kjo do të sjell deri te caku. Në një farë mënyre, një afat kohor që pret opinion maqedonas është deri në qershor. S’e di nëse do të plotësohet. Bisedimet duhet të intensifikohen dhe në fund duhet të qartësohen pozitat thelbësore. Kemi ose jo prerje të qëndrimeve në Shkup dhe Sofje në të cilin mund të zgjidhet çështja?!” - deklaroi analisti politik, Petar Arsovski.
Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria në kuadër të dinamikës së re të bashkëpunimit pritet të afrojnë qëndrimet në disa fusha, duke hapur kështu rrugën për gjetjen e zgjidhjeve për çështje më të vështira dhe përfundimisht zhbllokimin e fillimit të negociatave me Bashkimin Evropian.
Bashkësia ndërkombëtare përshëndeti zhvillimet e fundit ne relacion Shkup-Sofje. Edhe BE edhe SHBA presin që dy vendet do të gjejnë zgjidhje për kontestin dhe do të zhbllokojnë procesin eurointegrues të Maqedonisë së Veriut. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
