Botë
Emiratet shkatërrojnë dy raketa balistike të rebelëve huthi
24.01.2022 12:02
Ministria e Mbrojtjes së Emirateve të Bashkuara Arabe nuk raportoi për viktima...

Ministria e Mbrojtjes së Emirateve të Bashkuara Arabe nuk raportoi për viktima dhe tha se raketat ranë në dy rajone të ndara pranë Abu Dabit.
Një zëdhënës i rebelëve huthi, që mbështeten nga Irani, Yahya Sarea tha se raketat balistike kishin për cak bazën ajrore al-Dhafra në Abu Dabi.
Sarea tha se grupi po ashtu ka shënjestruar disa zona vitale të Dubait, duke përdorur dronë, por nuk specifikoi se cilat ishin këto caqe.
Ky ishte sulmi i dytë me raketa ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe nga rebelët në Jemen, pasi ata javën e kaluar sulmuan një depo të karburanteve të Abu Dabi, duke vrarë tre persona dhe duke shkaktuar zjarr në një aeroport pranë kësaj depoje.
Ky sulm paraqiti një përshkallëzim të madh të konfliktit në Jemen.
Ekipet e shpëtimit kërkojnë të mbijetuar në gërmadhat e një ndërtese të goditur nga koalicioni i udhëhequr nga sauditët./Top Channel
