Maqedoni

Postat do të përmirësojnë shërbimet e tyre

24.12.2014 15:46

Qytetarët, që shfrytëzojnë shërbimet postare, shumë pak ankohen, ndonëse nuk është i vogël numri i dërgesave të tyre që humben...

Nga 45 milion dërgesa, aq sa brenda një viti pranon operatori “Postat e Maqedonisë”, vetëm 4 mijë qytetarë janë ankuar për shërbim jocilësor.
 
Arsyet për këtë janë procedurat e ndërlikuara, por drejtori Agjencisë për Posta, Vlatko Atanasovski, tha se në institucionin që drejton ai po punohet në thjeshtëzimin e proceduarave.
 
“Mendoj se numri i ankesave nuk përbën treguesin adekuat për kualitetin. Kemi vërtetuar arsyen e numrit të vogël të ankesave, i cili ka të bëjë me procedurat e ndërlikuara gjatë ankimimit dhe pikërisht në këtë drejtim po punojmë. Besoj se numri i ankesave do të rritet, ashtu siç do të rritet edhe numri i dërgesave postare”- deklaroi drejtori i Agjencisë për Posta, Vlatko Atanasovski.
 
Atanasovski, paralajmëroi vënien në funksion të një ueb aplikacioni, të cilin do të mund ta shfrytëzojnë qytetarët e pakënaqur nga shërbimet postare.
 
Veç kësaj, ata do të kenë qasje në sistemin e të gjithë operatorëve, me ç’rast agjencia si trup rregullator do të merret  menjëherë me rastin e ankimuar.
 
Kjo pritet ta përmirësojë gjendjen me shërbimet postare në vend, tha ai gjatë debatit të hapur të Agjencisë për Posta.
 
NAIM RAMADANI