Maqedoni
U përkthye raporti i hetuesve gjerman, Prokuoria nis hetimet për shkaqet e zjarrit
24.01.2022 17:06
Prokuroria Themelore Publike ka pranuar raportin e përkthyer nga hetimi i zjarrit në spitalin modular të Tetovës...

Prokuroria Themelore Publike ka pranuar raportin e përkthyer nga hetimi i zjarrit në spitalin modular të Tetovës, të kryer nga ekspertët dhe hetuesit gjerman, njoftojnë nga Prokuroria Publike.
Tani pesë prokurorët që punojnë në lëndën lidhur me zjarrin në spitalin modularë në Tetovë kanë filluar shqyrtimin e raportit për të përcaktuar shkaqet dhe çfarë do të ndërmerret në drejtim të procedurës së mëtutjeshme.
“Raporti i përgatitur nga ekspertët gjerman është përkthyer dhe është dorëzuar deri tek Prokuroria Themelore-Tetovë. Prokurorët kompetent po e shqyrtojnë, ndërsa të dhënat do të krahasohen me dëshmitë e tjera të grumbulluara të lëndës. Prokuroria po punon në mënyrë intensive që detajisht të vërtetohen të gjitha faktet për fatkeqësinë. Varësisht nga ajo se çfarë do të vërtetohet, do të miratohet vendim për procedurën e mëtejme të lëndës”, njoftojnë nga Prokuroria Themelore Publike.
Në zjarrin që shpërtheu në spitalin modular të Tetovës më 8 shtator 2021, humbën jetën 14 persona. Sipas hetimeve të MPB-së zjarri në spitalin modularë është shkkatuar nga një kabllo vazhduese e rrymës, ku kanë qenë të kyçur një aparat defibrillator për reanimim, mbushës i telefonit dhe një paisje tjetër.
