Maqedoni
Intelektualët, në pikëpyetje bashkëjetesa mes dy komuniteteve më të mëdha
24.12.2014 16:03
Historianë dhe intelektualë kanë diskutuar sot në Shkup në një temë ende të nxehtë për Maqedoninë...

Historianë dhe intelektualë kanë diskutuar sot në Shkup në një temë ende të nxehtë për Maqedoninë, ballafaqimin me të kaluarën dhe historinë, e cila padyshim ndikon në politikbërjen aktuale.
Historianët maqedonas pranojnë publikisht se falsifikimi i historisë, përmbajtja nacionaliste e teksteve shkollore, ngritja e monumenteve historike vend e pa vend ka vënë në pikëpyetje bashkëjetesën dhe respektin e ndërsjellë mes dy komuniteteve më të mëdha në vend.
“Dikush që ndërton përmendore, e cila është e kompozuar me armë në dorë në afërsi të universitetit më të madh në vend, është skandaloze. Kjo është e pakuptueshme dhe do të thotë se shumë gjëra të palogjikshme ndodhin në vend. Në vend që gjeneratat e reja të mësojnë të vërtetën që në vegjëli, ata fitojnë një përrallë për viktima, për heronj, për fuqi, e më pas kur të rriten vështirë i kthehen realitetit”- deklaroi profesoresha universitare, Biljana Vankovska.
“Politikanët tanë sa ulen nëpër karrige, bëhen profesionistë të gjithanshëm dhe i japim mundësinë cilitdo që të shkruajë historinë e popujve të ndryshëm. Prej nga gjithë ky komoditet, historinë duhet ta shkruajnë pjesëtarët e nacionalitetit të cilit i përkasin, duke u bazuar në fakte dhe jo unë të shkruaj për historinë e shqiptarëve, kush ma jep mua këtë të drejtë”- tha historiani, Todor Qepreganov.
“Këtu shoh shumë pak të jenë prezent mediat dhe mos mendoni se kjo ndodh rastësisht. Në Maqedoni nuk dëshirohet që të flitet hapur as për të ardhmen as për të kaluarën. Elita politike dëshirojnë të mbajnë të mbyllura këto tema dhe t’i marrin parasysh idetë dhe këshillat nga kompetentët. Të dhënat e fundit nga Qendra për Hulumtim e Maqedonisë tregojnë një mosbesueshmëri totale mes dy komuniteteve me të mëdha që jetojnë në Maqedoni”- u shpreh komunikologu, Sefer Tahiri.
Debati i sotëm u organizua nga Trening-Qendra për Menaxhment dhe Konflikte dhe forumi ZDF.
VALBON BEXHETI
