Botë

Honduras, përleshje fizike mes deputetëve

24.01.2022 18:03

Skena kaotike në kongresin e Hondurasit ku shpërtheu një përleshje mes anëtarëve të partisë së presidentes së zgjedhur Xiomara Castro...

Skena kaotike në kongresin e Hondurasit ku shpërtheu një përleshje mes anëtarëve të partisë së presidentes së zgjedhur Xiomara Castro, gjatë betimit të kryetarit të ri të Kongresit.
Anëtarët e Partisë Libre të Castro u përleshën pasi kongresmeni Jorge Calix u zgjodh kryetari i kongresit në vend të Luis Redondo.
 
Castro kishte rënë dakord më herët me partnerin e koalicionit, Partinë Shpëtimtare të Hondurasit (PSH) që Redondo të zgjidhej për këtë pozicion. Megjithatë, rreth 20 anëtarë rebelë të Partisë Libre votuan kundër Redondo. Mes thirrjeve”tradhtarë” dhe “Xiomara”, politikanët e zemëruar u futën me forcë në podiumin ku Calix po bënte betimin.
 
Ky i fundit u detyrua të largohej pasi kongresmenët filluan të përlesheshin. Kjo ishte hera e parë që kongresi prej 128 anëtarësh i Hondurasit po mblidhej që kur u konstitua në nëntor të vitit 2021.
 
Castro do të betohet zyrtarisht më 27 janar, së bashku me zyrtarë të tjerë të lartë, duke përfshirë presidentin e ri të Kongresit, në një ceremoni ku do të marrin pjesë të ftuar, përfshirë zëvendës presidenten e SHBA-së, Kamala Harris.