Botë
Stamboll, reshje të mëdha të borës bllokojnë qytetin
25.01.2022 10:13
Stambolli është zgjuar në një borë masive, e cila ka paralizuar trafikun dhe ka penguar shërbimet....

Stambolli është zgjuar në një borë masive, e cila ka paralizuar trafikun dhe ka penguar shërbimet. Stuhia e borës ka mbyllur Aeroportin e Stambollit për herë të parë prej kur ka marrë primatin ndaj Aeroportit Ataturk, si qendër e re e kompanisë “Turkish Airlines” në vitin 2019. Zyrtarë të aeroportit kanë njoftuar se fluturimet nuk do të rinisin sot deri në orën 13:00.
Në qytetin me 16 milionë banorë është parë pak qarkullim dhe kompanitë e dërgesave të ushqimit nuk kanë punuar. Zyra e guvernatorit u ka bërë thirrje banorëve që kanë braktisur makinat e tyre nëpër autostrada që të shkojnë edhe t’i marrin ato. “Ju lutem, le t’i marrim makinat tona”, ka thënë guvernatori, Ali Yerlikaya.
Mbyllja e Aeroportit të Stambollit ka ndikuar në fluturimet drejt Lindjes së Mesme, Afrikës, Azisë dhe Evropës. Aeroporti i Stambollit u ka shërbyer më shumë se 37 milionë pasagjerëve vitin e kaluar, pavarësisht pengesave të shkaktuara nga pandemia e virusit korona.
