Maqedoni

Sofje, takim i përbashkët i qeverive të Bullgarisë e RMV-së

25.01.2022 10:39

Qytetarët e Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk presin retorikë politike por rezultate konkrete....

Qytetarët e Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk presin retorikë politike por rezultate konkrete. Kështu deklaroi kryeministri bullgar, Kirill Petkov, në hapjen solemne të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, me ç’rast ai shprehu optimizmin e tij se gjërat do të ecin përpara në fushën e ekonomisë, infrastrukturës dhe integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut. Ndërsa kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, tha se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgaria do t’i dëshmojnë Evropës se në Ballkan mund të bashkëpunohet.

“Marrëdhëniet tona para takimit tonë në Maqedoninë e Veriut ishin në nivel të ulët, por atë që e arritëm në javën e dytë me punë të përbashkët, unë kam shpresa të mëdha, se prezenca e juaj në Sofje me gjithë këta ministra në të gjitha sferat në të cilat dëshirojmë të punojmë së bashku me ministrat tanë, flet për rrugën se si do të zhvillohen marrëdhëniet tona. Ato do të bazohen në punën e përbashkët, takime të vërteta dhe rezultate të vërteta, sepse politika dhe rëndësia e saj të zhvillohet në të mirë të dy popujve. Nuk ka asgjë më të mirë se sa të punojnë për një ekonomi më të mirë, lidhje infrastrukturore, të flasim për integrimet evropiane dhe kuptohet t’i ndjekim me kujdes temat e përgjithshme, përfshi historinë, të drejtat e njeriut, çështje të cilat janë të rëndësishme për eurointegrimet.”,- tha kryeministri bullgar, Kirill Petkov.
 
“Kjo është sukses pasi vetëm brenda një jave nga takimi ynë i parë në Shkup, ku u dakorduam se duhet të merremi vesh në temat që nënkuptojnë marrëdhënie më të mira ekonomike, bashkëpunim në sferën e arsimit, infrastrukturës, inovacioneve, gjithçka që për qytetarët do të thotë komunikim më i mirë, lidhje më të mira, por edhe përmirësim të bashkëpunimit më të mirë me qëllim që këtë rajon ta bëjmë një rajon të prosperitetit ekonomik, vend më të mirë për jetë dhe punë dhe standard më të mirë të qytetarëve. Për këto arsye kolegët tanë të dy qeverive punojnë në tema nga sfera e infrastrukturës, konkretisht të korridorit 8 në të gjitha pjesët e tij, në sferën e infrastrukturës rrugore, hekurudhës dhe pjesën e lidhjes së telekomunikacionit. Më pas në sferën e lidhjes së arsimit, e kur e lidhim arsimin i lidhim të rinjtë, e rrisim mobilitetin e tyre, e rrisim shkëmbimin e ideve, diturive që në fund është më efikase se sa kur e bëjmë vet. Ekipet tona do të punojnë së bashku me bashkëkryesues jo vetëm me kryesues, që do të thotë se në 6 muajt e ardhshëm ata së bashku do t’i drejtojnë grupet e punës, të cilat nuk do të përbëhen vetëm nga politikanë përkatësisht nga ministra, prezenca e ministrave dhe zëvendës ministrave vetëm e konfirmon vullnetin politik dhe dëshirën të vazhdojmë së bashku drejt asaj që e kemi planifikuar. Në to do të përfshihen edhe përfaqësues të sferave në të cilat punojnë grupet e punës, që do të thotë edhe odat ekonomike, odat tregtare, institucionet arsimore. Dje kisha një takim shumë të frytshëm me rektorin e Universitetit të Sofjes dhe shumë shpejtë do të vendosim bashkëpunim me universitetin tonë shtetëror. Do të marrin pjesë edhe përfaqësues të organizatave kulturore në dy shtetet.”,- tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
 
“Duhet t’i dëshmojmë Evropës se në Ballkan mund të bashkëpunohet dhe të jemi shembull se si shënohet progres në fushë të ekonomisë dhe fusha të tjera. Unë dhe Kirilli ju dëshirojmë suksese”,-shtoi Kovaçevski.