Maqedoni
Negociatat me Bullgarinë, Milloshovski kërkon sqarime nga Osmani
25.01.2022 16:10
Kreu i Komisionit për Politikë të Jashtme, i Kuvendit të Republikës, Antinio Milloshovski....

Kreu i Komisionit për Politikë të Jashtme, i Kuvendit të Republikës, Antinio Milloshovski, fton ministrin e jashtëm, Bujar Osmanin, që të japë sqarime para deputetëve për përgjigjet që Qeveria ia ka dorëzuar palës maqedonase për kërkesat të njohura si 5+1. Sipas Milloshovskit, është e palejueshme që përgjigjet e Qeverisë së Maqedonisë t’i disponojnë deputetët bullgarë por jo edhe deputetët vendor.
“Deputetët në Kuvendin e Sofjes e dinë atë që deputetët maqedonas nuk e dinë. Opinioni maqedonas ka të drejtë që përmes përfaqësuesve në dhomën ligjvënëse të kuptojë se për çfarë po bëhet fjalë. A ka diçka që duhet fshehur ose ka diçka që duhet biseduar me të gjithë deputetët.”,- tha kryetari i Komisionit për PJ, Antonio Milloshovski.
Milloshovski kërkon që seanca të jetë publike, por nëse Osmani kërkon që ajo të mbahet pas dyerve të mbyllura është dakord edhe për këtë opsion. Ajo që sipas Milloshovskit është e papranueshme është heshtja, që nxit dyshime dhe refuzimi për të dhënë llogari para Kuvendit.
“Ministrat e kanë detyrim ligjor që të japin llogari para Kuvendit, ndërsa ky i fundit duhet të jetë mbikëqyrës dhe kontroll mbi ekzekutivin,”- tha Milloshovski.
Dyshimeve të opozitës maqedonase u ka shkuar në favor edhe deklarata e pararendësit të Osmanit, Nikolla Dimitrov, i cili në prag të largimit nga Qeveria Zaev 2, shprehu dyshimet e tij për qasjen e ministrit Osmani në negociata. Mirëpo, Osmani nga ana tjetër, ka deklaruar se negociatat me Bullgarinë janë transparente si dhe përmbajtja e përgjigjeve të palës maqedonase.
SHPËTIM NUREDINI
